Ervini, “mat” në Brazil: Përplasja me Martinajn, bisedat me Suel Çelën dhe gjoba nga Ramazan Rraja

Aktualitet

Ervini, “mat” në Brazil: Përplasja me Martinajn, bisedat

Zhurma e natës në Bllok shpesh mbulon gjithçka. Muzikën, dritat, dhe historitë që lëvizin në hije.

Por në një natë të vitit 2018, një përplasje e papritur do të nxirrte në sipërfaqe një emër që deri atëherë nuk ishte në qendër të vëmendjes publike.

Në dukje, jo një figurë tipike e botës së krimit. Jo një “bos” i saj. I njohur më shumë si investitor në ndërtim dhe për lidhjen me këngëtaren Elvana Gjata, sesa për një profil të fortë kriminal.

Por ngjarja e Bllokut do të ndryshonte gjithçka.

Një konflikt që, sipas dëshmive, nisi me disa fjalë të hedhura ndaj këngëtares së njohur dhe përfundoi me armë zjarri. I vrarë mbeti një nga njerëzit afër Ervis Martinajt, ndërsa vetë Martinaj u plagos, bashkë me besnikun e tij të përjetshëm, Eljon Hato.

Një episod që nuk mbaroi atë natë, por i hapi rrugë përplasjeve në distancë, zhvendosjeve dhe arratisjeve. Në fund të saj, Ervin Mata largohet nga Shqipëria. Destinacioni: Brazili.

Një vend i largët, por jo rastësor. Një hapësirë ku, për një kohë të gjatë, besohej se mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi dhe boshllëqet ligjore mund të garantonin mbrojtje për ata që arrijnë të qëndrojnë jashtë radarit lokal.

Por kjo histori nuk është vetëm për arratisjen.

Sepse sipas SPAK, aktiviteti nuk kishte ndalur. Përkundrazi, dyshohet se ishte shtrirë përtej kufijve, në rrjete të trafikut ndërkombëtar të drogës. Dhe ndërkohë që Mata mund të ketë besuar se ishte jashtë rrezikut, një tjetër zhvillim po ndodhte në heshtje.

Policia shqiptare që ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet braziliane, arrin të zbulojë lëvizjet e tij, sa në Paraguai, sa në Argjentinë e qytete të ndryshme të Brazilit. E dy muaj pasi autoritete shkëmbyen informacion dhe u arrit të bëhej identifikimi i tij i plotë, me foto dhe gjurmë gishtash, në nëntor 2024 vjen dhe vizita e një delegacioni të SPAK në Brazil.

Një lëvizje, që nuk ishte thjeshtë procedurale. Emra konkretë ishin në fokus, në listat e Interpol dhe agjencive si DEA.

Dhe mesa duket, një prej tyre ishte pikërisht Ervin Mata.

Çfarë shkoi gabim në llogaritë e tij? Si funksionon realisht “streha ligjore” në vende si Brazili? Dhe a ishte arratisja një shpëtim apo vetëm një shtyrje e përplasjes së pashmangshme?

Mbrëmjen e datës 4 tetor 2018, Salla Operative Policisë së Tiranës ka marrë njoftimi se në rrugën “Ibrahim Rugova”, në një subjekt tregtar ka pasur të shtëna me armë zjarri. Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet e para hetimore. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, në ambientet e brendshme të bar “Monopol”. Rezultoi se si pasojë e shkëmbimit të zjarrit në ambientet e brendshme të këtij lokali ishte një person i pajetë. Viktima ishte Fabian Gaxha, i cili pas ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi se kishte 4 plagë tejshpuese. Në këtë ngjarje, u plagosën edhe Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një pistoletë “Glock”, si dhe 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Nga ana e policisë gjyqësore është kryer sekuestrimi i DVR-ve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, si edhe të gjitha provave materiale.

I është marrë deklarim në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, shtetasit Redi Popesku, i cili është administrator i subjektit, që ka në pronësi dyqanin ku ka ndodhur ngjarja. Ky shtetas ka deklaruar se, ditën e ngjarjes, rreth orës 18:00, ka shkuar në dyqanin e tij Ervin Mata, i cili shoqërohej me 4 persona të tjerë dhe pasi kanë parë në vitrina janë ulur në tavolinë ku ai vetë u ka shërbyer pije alkoolike.

Ervin Mata së bashku me një person tjetër me emrin Joli, mbiemrin nuk ia di, i cili është oficer në Zall-Herr kanë dalë jashtë, ku Ervini është takuar me të dashurën e tij, shtetasen Elvana Gjata. Kur është kthyer sërish në dyqan së bashku me Jolin ka qenë i revoltuar. Pas 20 minutash kam dalë jashtë dyqanit, te shkallët, ku kam takuar mikun tim, Ervis Martinajn, të cilin e kam klient. Ai shoqërohej nga dy persona të tjerë. Më tha se do takonte Ervin Matën që ndodhej në dyqan dhe së bashku me dy personat që e shoqëronin është takuar me Ervinin ku janë ulur veç në fund të banakut. Dy personat që shoqëronin Ervis Martinajn janë kapur me shtetasin me emrin Joli duke i thënë “pse po shikon” dhe në këtë moment kanë ardhur dy persona nga jashtë, njëri i veshur me bluzë të errët me kapuç, trup i gjatë, me xhinse, i cili së bashku me personin tjetër që e shoqëronte filluan të shanin dhe të godisnin me grushte Jolin, oficerin e Zall-Herrit dhe personat e tjerë që ishin në tavolinë me të. Në këtë moment Ervis Martinaj po thoshte “mos, mos, mos”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “ç’a po boni, ç’a është kjo punë” dhe në këtë moment kam parë personin me bluzë me kapuç, i cili kishte një armë zjarri. Kam dëgjuar një krismë, që ka ardhur nga vendi ku ndodhej personi i gjatë me kapuç në kokë, që po konfliktohej me Jolin, por për shkak të rrëmujës nuk e kam parë kush qëlloi dhe kur dëgjova krismën jam hedhur menjëherë pas banakut për t’u mbrojtur. Krismat kanë vazhduar  dhe kur kanë pushuar, afër banakut ka ardhur Ervis Martinaj, i cili ishte plagosur në qafë dhe unë e kam marrë dhe e kam zbritur poshtë shkallëve drejt vendit të taksive.

Në dëshminë e tij, Redi Popesku shpjegon gjithashtu se, në momentin kur ka dalë nga banaku, ishin larguar të gjithë personat e pranishëm, përveç atij që kishte mbetur i vrarë, Fabian Gaxhës dhe një person tjetër afër derës, që ishte duke u përpëlitur, Eljon Hato. Tregon se pasi ka nxjerrë jashtë Ervis Martinajn, që ishte plagosur, është ulur në trotuar për t’u kthjelluar dhe në këtë moment ka parë dy motorë Policie, që ua ka bërë me dorë, duke i njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Më pas së bashku me ta është futur sërish në dyqan. Në dëshminë e tij, Popesku ka shpjeguar se i plagosuri dhe i vrari ishin njerëzit e Ervis Martinajt dhe konflikti ka nisur për arsye banale, në lidhje me ngacmimin e të dashurës së Ervin Matës, këngëtares Elvana Gjata. Sipas tij, Ervin Mata me Ervis Martinajn janë takuar qetësisht në lokal pa ndonjë tendencë për t’u agravuar situata.

Nga ana e Policisë Gjyqësore janë marrë të dhëna edhe shtetasit Geldo Hoti. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime ai ka deklaruar se:

Ditën e ngjarjes, rreth orës 14:00 kam shkuar tek “Monopol” dhe jam takuar me pronarin, Redi Popesku. Pak më vonë, në lokal ka ardhur edhe Ervin Mata, Joli, që është miku i Ervinit dhe së bashku kemi shkuar te një lokal që quhet “Zihniu”, pranë “Karlsbergut”. Duke drekuar, në lokal ka ardhur një person që i thërrisnin Tani dhe me mbiemër Allushi, i cili shoqërohej me një person tjetër rreth 170 cm i gjatë, i shëndoshë, me flokë të shkurtra, rreth 40 vjeç, dhe këta persona janë ulur me ne në tavolinë. Rreth orës 18:00, jemi çuar nga lokali dhe kemi shkuar përsëri te “Monopol”, ku jemi ulur përsëri të gjithë bashkë. Rreth 1 orë më pas, Ervini ka dalë jashtë lokalit ku është takuar me Elvana Gjatën, e cila është e fejuara e Ervinit dhe kur është kthyer brenda u ka thënë se dikush i kishte ngacmuar të fejuarën dhe ky person do të vinte në lokal për t’u sqaruar. Nuk më kujtohet orari i saktë, por fillimisht në lokal kanë hyrë 3 persona, dhe Ervini sapo ka parë këta persona është ngritur nga tavolina dhe i ka takuar te banaku. Rreth 1-2 minuta më pas, në lokal kanë hyrë 2 persona të tjerë, njëri nga personat e sapofutur, ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë dhe na është drejtuar te tavolina ku ishim ulur me fjalët “…mos të lëvizi njëri se do t’ju….” Në këtë moment jam ngritur nga karrigia për të ikur por personi që mbante armën në dorë më është drejtuar me fjalët …mos lëviz…

Për rrethanat e hetimit u është marrë deklarim edhe babait të Ervin Matës dhe prindërve të Elvana Gjatës. Luan Mata, Babai i Ervinit është shprehur se nuk ka dijeni për ngjarjen dhe se nuk e dinte ku ishte i biri. Nga ana tjetër prindërit e këngëtares Elvana Gjata, kanë deklaruar se ajo kishte rreth një vit që bashkëjetonte me Ervin Matën. Ndërsa me Mevjol Bilon shoqërohej shpesh, pasi ishte nipi i nënës së Elvanës.

Ervis Martinaj, për shkak të plagës që kishte marrë në qafë, fillimisht mori mjekim në Spitalin e Traumës, i cili u blindua nga forca të shumta Policie gjatë gjithë kohës që qëndroi aty. Edhe Masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e spitalit, ku dhe u mor në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Këngëtarja s’ka lidhje fare. Me Ervin Matën s’kam pasur lidhje. Me të jam takuar rastësisht. Unë jam rritur me babën e Ervinit. Sherri nuk ishte aq i madh sa për të goditur aq shumë plumba. Unë isha ai që i thashë Fabit ‘mos’ se po të mos kisha ndërhyrë unë, ‘kokëmadhi’ do të kishte vdekur sot, pasi ai e kishte të pamundur të qëllonte se e kishin kapur nga krahët e s’kishte mundësi të nxirrte armën. Ai u tregua legen, pasi kur unë i thashë Fabit, ‘mos çfarë po bën’, ai gjuajti me refleks. Do të ishte Fabi gjallë. Jeni duke më rënë në qafë kot, pasi unë isha duke pirë një gotë. Unë në spital kam shkuar vetë me një taksi. Nëse nuk do të kisha shkuar për 3 minuta, do të kisha vdekur, pasi kisha humbur 2.5 litra gjak. Ervin Mata është një dele. Ai tani do të jetë në një copë dhomë, duke pirë. Unë s’kam asnjë lloj konflikti me të, por do të flas me babin e tij dhe do i them të vijë të sqarojë. Ai ka frikë se mos ngel në burg, se ju e arrestoni, e mbani kot.

Megjithatë, pavarësisht deklarimeve të Ervis Martinajt për një takim rastësor me Ervin Matën, të gjitha provat dhe dëshmitë flisnin për një takim të planifikuar.

Ervin Mata u shpall në kërkim për këtë ngjarje, por iu shmang drejtësisë për 5 muaj duke u vetëdorëzuar më 3 mars 2019. Ndaj tij ishte vendosur masë në mungesë “arrest me burg” për vrasje. Një ditë pas vetëdorëzimit, Gjykata e ndryshoi masën, duke vendosur “detyrim paraqitje” vetëm për “moskallëzim krimi” dhe ai u la i lirë.

Ervin Mata dhe miqtë e tij Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burgim që zbriti në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes publik.

Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti.

Ish-komandoja Mevjol Bilo u cilësua fajtor nga Gjykata e Tiranës për plagosjen e rëndë të Eljon Hatos. Ai u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim iu reduktua në 4 vite e 8 muaj. Por, ish-komandoja nuk shkoi asnjë ditë në burg, pasi dënimi iu konvertua në 4 vite e 8 muaj shërbim prove.

Avokatët arritën të bindin gjykatën se Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta. Me këtë argument, se ai kishte reaguar për shkak të nevojës ekstreme, gjykatësi paraprak i pushoi ish-ushtarakut akuzën e vrasjes së Fabian Gaxhës.

Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës shpalli fajtor dhe e dënoi me 5.6 vite burg Ervis Martinajn. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit duke u dënuar përfundimisht nga Shkalla e Parë me 3.8 vite burg për “sigurim kushtesh për kryerjen e një vrasje”, “falsifikim letërnjoftimesh”, “organizim lotarish në mënyrë të paligjshme”, si dhe “fshehje të ardhurash”. Megjithatë, ai ishte liruar më parë, me garanci pasurore dhe nuk u arrestua as pas këtij vendimi, për shkak se çështja u apelua dhe ende nuk ka marrë formë te prerë as sot e kësaj ditë.

Kur të dy ishin në liri, gjërat nuk do ishin njëlloj si më parë për Ervis Martinajn dhe Ervin Matën. Mes tyre nuk kishte më paqe dhe kjo u dëshmua në vitet në vazhdim. Dhe shkak nuk ishte vetëm vrasja në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën vrasje e atentate të dështuara, që mbetën pa autor, por që hetimet i lidhnin me këta personazhe. Ndonëse më vonë, siç treguan dosjet e SPAK, rivaliteti i Ervis Martinajt ishte më i fortë me personazhe të tjerë, sesa vetë me Ervin Matën.

Një sasi tritoli, që dyshohet të ketë qenë 100-200 gramë, shpërtheu mbrëmjen e datës 30 maj 2020 në Rrugën e Dibrës në Tiranë. Lënda plasëse u hodh e më pas shpërtheu  mes dy bizneseve, hotel “Victoria” dhe një lokali bar-kafe. Burime zyrtare të Policisë thanë se pati vetëm dëme të vogla materiale e për fat të mirë asnjë person të lënduar. Kjo për arsye se të dy bizneset ishin të mbyllura në momentin e shpërthimit, që sipas Policisë ishte paralajmërues. Të paktën, me aq sa shihet në vendin e ngjarjes, tritoli ka hapur një gropë në murin e hotelit, si dhe ka thyer disa xhama të tij dhe të lokalit përbri. Hotel “Victoria” është në pronësi të Luan Matës, babait të Ervin Matës. Eksplozivi ishte hedhur nga një makinë në lëvizje.

Ngjarja ndodhi në orën 22:35, vetëm 18 minuta pas atentatit me dy të vrarë në një hotel në Laç. Në orën 22:17, në Laç u ekzekutua në atentat Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Duke qenë se të paktën, Buraj Lika njihej si mik i Ervis Martinajt, në atë kohë pati dyshime për një paralajmërim si kundërpërgjigje për atë ngjarje. Megjithatë, në vitin 2024, rezultoi diçka krejt tjetër. Bisedat në SKY, si shumë ngjarje të tjera, hodhën dritë edhe mbi shpërthimin në hotel “Victoria”.

Në vendimin e datës 18 tetor 2024, të Gjykatës së Posaçme, shpjegohen me detaje të gjitha episodet, për të cilat akuzohen Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Ramazan Rraja, etj., mes të cilëve është edhe kjo ngjarje. Nga analizimi i bisedave në SKY, nga pin-i që ishte përdorur nga Ramazan Rraja, me bashkëbiseduesit e tij, por dhe nga komunikimet e kryera prej bashkëbiseduesve të tjerë, janë krijuar dyshime se i pandehuri Ramazan Rraja ishte njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar  një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata.

Referuar procesverbalit për këqyrjen, leximin dhe analizimin e bisedave të përdoruesit të Sky, me Pin “JU6RE9”, i cili ka rezultuar se përdorej nga i pandehuri Ramaza Rraja, me bashkëbisedues të tjerë, rezulton se lidhjet shoqërore të të pandehurit Ramazan Rraja në qytetin e Durrësit janë të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të cilët i kanë siguruar një automjet, me të cilin më pas është vepruar për vendosjen e lendes plasëse pranë hotel “Victoria”. Sipas bisedave te zhvilluara mes të pandehurve, rezulton se për të marrë këtë automjet në Durrës i pandehuri Ramazan Rraja ka dërguar një të afërmin e tij dhe ky automjet është marrë me qëllim për të realizuar qëllimin kriminal, atë të vendosjes së sasisë së lëndës  eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata babai i shtetasit Ervin Mata i njohur me pseudonimin “Boli”, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35.  Konkretisht rezulton se përdoruesi i Sky, Bledar Polovina komunikon me Amar Shkëmbin, në muajin korrik 2020, pra pasi ngjarja kishte ndodhur, dhe referuar bisedave të realizuara në datë 12.07.2020, Polovina dhe Shkëmbi flasin pikërisht për një ngjarje që lidhet me vendosjen e një sasie eksplozivi në lokalin e Ervin Matës, nga ana e të pandehurit Ramazan Rraja, për shkak  të konflikti (për punë pazaresh mes tyre), dhe mospagimin nga ana e Ramazanit.

Amar Shkëmbi – Bledar Polovina

“Atë bombën e hotelit të Bolit të Elvanës ditën që u vra ai shoku Visit, Ramazani e kishte vën. Se kishin bo një lidhje ata Fufët me Bolin e Elvanës. I kishin bo dy punë ata Ramazanit, s’i kishin dhënë gjë dhe Ramazani i ka vu gjobë 1.5 milion euro atij dhe i vuri bombën te hoteli plakut Vin Bolit. Jo me kishte çu dikë, që ja kishte vën anash”.

Një tjetër bisedë që zhvillohet në Sky, me interes për hetimet, ka qenë edhe ajo mes Julian Meçajt dhe Ramazan Rrajës, e zhvilluar më 25 maj 2020, 5 ditë para se të ndodhte shpërthimi në hotel. Rraja i thotë Meçajt se kishte komunikuar me Plaurent Dervishajn, pasi i duhej një makinë që ta përdornin në një ngjarje.

Ramazan Rraja – Julian Meçaj

“Më tha shoku për i makin vlla. A fole ti, a nez ajo? Po nji t’vogël vlla sa me hedh i tritol e du. Të sjell i kusho ta mori më von. Ja t’i them t’gjej naj pal targa. Po vlla sa të kthehet ai se ësht në Tironë, do vij direkt. Po do e shofi rrugën ai vlla. Po pati gjo të them un dhe e lejm për nesër mroma. Ok vlla. N’rregull vlla. O vlla nuk do vij sonte ai, se e paska vet një motorr mos ta djegim kot makinën i her vlla. O vlla a ja jep dot makinën sonte atij kushos tim, të sjell një çun t’vogël? Rrofsh vlla mbone nder t’modh, se du me e nis per Tironë direkt a nez ajo thu vlla. A ka naft vlla që mos nalojn fare ato, të hikin direkt për Tironë? Ishalla ka mos të nalojn ato se po i çoj me i ven të marojn i pun mos të nalojn. Po t’bo ftes Xheni vlla, çuni xhaxhit se po vje ai çuni Rafmanit. Po vlla te semafori par djathtas? Pys un nesër Drinin. Paska hy shteti në Nikel. Po i thash ta lejn me naj rrugic në Fush Kruj”.

Ndërsa më 31 maj 2020, një ditë pas ngjarjes, Ramazan Rraja komunikon sërish në SKY me një person të paidentifikuar.

“Tritolin tek hoteli ja kam hedh un e di gjith Shqipëria, mos e kërko asnjë vend thuj. Po mka ardh shum inat që s’ka bo dot dam ai djali s’kam qen vet se do ja bosha venin salc. Nqoftë se e ke aq shok thuj atij ose çoj llaf te baba vet se i kam nis njerz po s’kan shku, se do arsyen pse dhe du me i thon: Ramazani nuk e di me ca hasmërie je msu por une jam ai burr që të çoj llaf s’jam … S’te kam as hak as hile përveç ç’a mke dhe kë të gjej nga familja do ja vras. Ktë thuja…”

Kjo ngjarje, edhe për faktin se nuk pati viktima, madje as dëme materiale, për shumë kohë mbeti pa autor. Madje, duket se edhe hetimet ishin orientuar gabim, por Sky zbuloi gjithçka. Edhe vetë faktin se krimi shpesh komunikon përmes dhunës dhe sinjaleve, qofshin këto edhe pa pasoja.

Mbrëmjen e 20 nëntorit 2023, SPAK finalizoi një operacion, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut, drejt Europës. Prej 7 muajsh po kryheshin hetime për këtë grup, në qendër të të cilit ishte Ervin Mata.

SPAK kishte dyshime të arsyeshme se ky grup i strukturuar kriminal, në përbërje të të cilit janë policë e ish-policë, trafikonte kokainë nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Konkretisht bëhej fjalë për 4 dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë. Këto kanë qenë objekt i hetimit, fillimisht të Europol e më pas edhe të SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës.

Është një sasi totale prej 931 kg kokainë që është kapur në katër shtete, dhe që padyshim SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Jugut në Europë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata.

Komunikimet në Sky të mbërritura nga autoritet franceze dhe belge, kanë hedhur dritë mbi këtë situatë.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Europë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

– Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021

– Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021

– Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani

– Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani

– Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë

– Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë

Ndërkohë, njoftohej se po vazhdohej me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.

Por si nisi hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal?

Grupi po hetohej nga agjencitë europiane të zbatimit të ligjit, në Holandë, Belgjikë, Francë dhe Gjermani. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për një rrjet të mirëorganizuar shqiptarësh, që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Ekuadori dhe nga Brazili. Në kohën që bëhej verifikimi i Pin-eve që ata përdornin në aplikacionin Sky, hyn në lojë edhe SPAK.

Emrat e personazheve të përfshirë në grupin kriminal që drejtonte Ervin Mata, nisën të dalin në skenë gjatë hetimeve për një sasi kokaine të kaluar në Holandë më 5 janar të vitit 2021. Bëhej fjalë për 446 kilogramë lëndë narkotike. Në dosjen e SPAK rezulton se lënda narkotike ishte porositur nga Eralb Breçani. Për këtë ngarkesa kishte paguar Ismail Zeneli, i cili sipas komunikimeve të aplikacionin SKY rezulton se thirrej “Daja”.

Më datë 12 tetor të vitit 2023 është administruar informacioni i ardhur nga oficeri i Kontaktit në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës, i cili ka informuar se:

Më datë 5 janar 2021 nga autoritetet ligjzbatuese holandeze është kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur “Maasvlakte” në portin detar të Roterdamit. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 446 pako me lëndë narkotike, të llojit kokainë të fshehura në trupin e kontejnerit. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy shtetas holandezë: Roelof den Otter dhe Dirk Evert Bujtenhuis. Kontejneri ka qenë i llojit frigoriferik, i kyçur me vula kyçëse. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur ne brendësi të tij edhe një vule kyçëse të pa mbërthyer. Transporti detar i tij, identifikuar si kompania “Maersk”, anije qe ka kryer transportin detar quhej “Brani” dhe kontejneri ishte ngarkuar në portin detar të Guajakil në Ekuador.

SPAK, me qëllim dokumentimin e këtij fakti ka analizuar komunikimet e kryera në aplikacionin Sky, të dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë. Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e këtij aplikacioni mes datave 9 janar 2021 – 4 shkurt 2021, konkretisht bisedave të zhvilluara mes Ismail Zenelit me nofkën “Daja”, Dajloki” dhe “Transporter”, Eralb Breçani me nofken “Boli” ose “Toni”, Besmir Murtati me nofkën “Kukës” dhe përdoruesit të paidentifikuar D*P* me nofkën “Elb” ose “Elb Nisan”. Nga komunikimet del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre personave dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Anterpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Holandë.

Në dosjen prej 106 faqesh janë të detajuara bisedat e zhvilluara mes grupit kriminal që zbardhin dhe rolin e Ervin Matës, të njohurin si ‘boli i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim, si dhe të Bujar Ajetit Gërmizit, që u arrestua në Kukës. Në disa prej bisedave të zbardhura në dosje, Ervin Mata komunikon në gjuhë të huaj për trafikun e një ngarkesë me kokainë nga Brazili. Konkretisht bëhet fjalë për një ngarkesë për 250 kg kokainë që ishte nisur drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Por plani i shkoi keq dhe Ervin Mata nuk e fshehu këtë, duke u shqetësuar edhe se lajmi do të bëhej publik nga media.

Në shtator të vitit 2020, Mata, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në një chat grup. Nga biseda e zhvilluar dyshohet se Ervin Mata në bashkëpunim me përdorues të tjerë Sky, pjesëmarrës në grup, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit. Evidentohet edhe biseda e datës 29 shtator 2020 me përdorues të tjerë shqipfolës, ku Mata i tregon që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 240 kg dhe problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt.

Në dosje del edhe emri i Ergys Dashit, nga Shijaku, i cili u vra në Guajakil të Ekuadorit më 23 janar të vitit 2022. Ajo që nuk dihej deri më sot, është fakti se Dashi ishte kushëriri i Ervin Matës. Ndërsa autorët e vrasjes së tij brënda një restoranti në Guajakil, ku u plagos edhe një grua, ende nuk dihen.

Më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontejnerit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralb Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontejner. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralb Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.

Përveç dosjes penale në ngarkim të grupit që drejtohej nga Ervin Mata, emri i këtij të fundit del edhe në dosjen e Suel Çelës.

Në bazë të komunikimeve, SPAK ka zbardhur edhe skemën se si Suel Çela me disa anëtare të tjerë kishin organizuar trafikimin e një sasie prej rreth 446 kg kokainë nga Ekuadori në drejtim të Holandës. Sipas komunikimeve ka rezultuar se Ergys Dashi, të cilit i referohen me pseudonimin “Pika”, i vrarë në Ekuador, ka pasur rolin e bashkëfinancuesit dhe organizatorit të transportit nga Ekuadori në drejtim të Holandës të 446 kilogramëve lënde të dyshuar kokaine. Suel Çela ka pasur rolin e bashkëfinancuesit për blerjen e rreth 100 kilogramëve lëndë narkotike e dyshuar me qëllim të trafikimit të saj nga Ekuadori ne Holandë dhe shitjen e saj në tregun europian. Në një moment, Suel Çela komunikon edhe me Ervin Matën, kushëriri i Ergys Dashit, i cili po ashtu ishte në kërkim nga SPAK për trafik kokaine nga Brazili.

Ergys Dashi: Si kalove plako. Na shkoftë mbar. Mirë je, ç’a ke bo? Jam me bolin po s’ka bateri. Sot mora 235 ke ai shoku. Tani për punën e Maersk me dysheme që folëm, sa doni me investu ju dhe dalja se po fillojmë përgatitjet?

Suel Çela: Mir shoku si kalove ti? Po më tha shoku për transfertën.

Ergys Dashi: Po mendonim me e bo me 400.

Suel Çela: Boli do jetë te pjesa jon, pyte?

Ergys Dashi: Jo, do jet ke pjesa nisjes.

Ervin Mata flet nga telefoni i Ergys Dashit: Si je vllai? Po dush ti hy ke dy pjesët un.

Suel Çela: Mir vlla ç’a bone ti, si je?

Ervin Mata: Po flisni vetë tani që të fillojë dhe Pika punën.

Suel Çela: Po flasim vetë pa merak. Shiko që mos ta bëni punën pa qef, 50 po fusim ne. Dalja mer atë përqindjen mrapa te puna e paletave i fusim dhe ata të investojnë.

Ergys Dashi: Merr fol me ta. 100 është ok. Dhe 150 nëse don. S’ka ktu pa qef. Po e bëjm me shumë qef.

Suel Çela: Ok vlla, në rregull 100.

Ergys Dashi: Thjesht sa dush ti.

Ergys Dashi: Mos e vrit mendjen fare ti për ne. Po dalja, a je i sigurt që nuk don?

Suel Çela: Jemi ok me 100 pa merak. S’ka shum rëndësi kjo. Tani mthuj për lekët. Unë kam fol e kam nda punën me ata.

Ergys Dashi: Ok, në rregull. Shitjen e merrni ju.

Suel Çela: Po e marr unë shitjen të gjith. Dhe pagesat në Shqipëri shumica.

Ergys Dashi: Kurse përqindja s’ka problem në Shqipëri i marrim. Ok në rregull. Sa ishte?

Suel Çela: Nëse ju intereson, 20, te punët e mëdha 15 %. Për ktë rast 20 %. Për investimin ytotal me transfert me gjitha ësht 5500 euro një.

Suel Çela: Lekët ku dohet t’i çojm?

Ergys Dashi: Kurse në fillim do jepet 2500.

Suel Çela: Kuptova. Mthuj ku duhen lekët?

Ergys Dashi: Ditën që do bëjm punën do pagujm kusurin.

Suel Çela: Ok pra, në rregull.

Ergys Dashi: Plako puna do bëhet me shtet.

Suel Çela: Ma ke shpjegu atë ditë ktë, i kam të qarta.

Ergys Dashi: Edhe kur të hyj mren puna me ardhë shteti i Kuitos. Kemi rrezik të dy pallët. Kurse me policët e Guajakil s’ka rrezik. Jo të gjitha. Edhe nëse humbim do humbin 2500.

Suel Çela: I kam të qarta të gjitha, pa merak.

Ergys Dashi: Ngaqë jam me bolin (Ervin Matën), me tha shpjegoja edhe iher.

Suel Çela: Jo, i kam fiksu të gjitha kur folëm ktu. Ma maj pak mir bolin mos e le pa buk…

Ergys Dashi: Ok, po fillojm përgatitjet.

Suel Çela: Na priftë e mbara.

Që nga momenti i finalizimit të operacionit më 20 nëntor 2023, Ervin Mata ka qenë person i shpallur në kërkim kombëtar e më pas ndërkombëtar me kartelë të kuqe nga Interpol, nisur nga informacionet se ai ndodhej në Brazil. Për arrestimin e tij me qëllim ekstradimi, vazhdimisht ka pasur shkëmbim informacioni nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, por edhe nga SPAK, me autoritetet braziliane.

Vitet e fundit, kryefjala e raportimeve për trafikun ndërkombëtar të drogës nga kontinenti i largët, ishte Ekuadori. Arsyet ishin të shumta, që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të këtij shteti e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie.

Por nga fundi i vitit 2023 dhe deri ditët e fundit, vëmendja është kthyer edhe në Brazil. Të paktën në dy dosjet e fundit që SPAK ka në hetim, bisedat e zhvilluara në aplikacionin SKY, që tashmë ka nxjerrë zbuluar shumë trafikantë droge, flitet për linja që nisin nga Brazili.

E duket se ky është edhe motivi i vizitës së fundit që ish-drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i shoqëruar edhe nga prokurorë të tjerë, zhvilluan në Brazil.

Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar.

I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi, Vladimir Mara dhe Elida Kaçkini, ish-kreu i SPAK bisedoi me homologët brazilianë lidhur me grupet shqiptare të cilat trafikojnë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Lajmin për vizitën e kryeprokurorit e ka bërë me dije Ambasada Amerikane më 5 nëntor 2024.

Kreu i SPAK dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe Prokurorë të Policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Zyra tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. Dumanit iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut.

Prokurorët e posaçëm kanë udhëtuar drejt Brazilit pasi një grup i përbashkët hetimor po heton përfshirjen e disa dhjetëra shqiptarëve në linjat e trafikut të kokainës nga Brazili në drejtim të Evropës.

Vizita në Brazil nënvizoi rolin jetik të bashkëpunimit të Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit në shkatërrimin e rrjeteve të krimit ndërkombëtar. Forcimi i partneritetit të SPAK dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me homologët tanë në Brazil është jetik për gjurmimin dhe ndërprerjen e aktiviteteve kriminale që prekin dy vendet tona. Së bashku, po bëjmë hapa të rëndësishëm në luftën kundër rrugëve të trafikut të kokainës që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë dhe BE-së. 

Delegacioni u informua nga Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Brazilit për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët dhe Armatimet, Drejtori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar, Drejtori për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, Drejtori dhe Zëvendësdrejtori për Hetimin Financiar, dhe Prokurori i Përgjithshëm që lufton grupin kriminal Primeiro Comando do Capital që kontrollon shumicën e rrjetit të shpërndarjes së kokainës në Brazil. Delegacioni gjithashtu u takua me agjentë dhe analistë të agjencive të tjera amerikane të fushës së zbatimit të ligjit në Brazil, përfshirë Byronë Federale të Hetimit, DEA-n  dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Më herët, skuadra të përbashkëta, SPAK kishte ndërtuar në disa vende të Amerikës së Jugut, ku veprojnë grupe kriminale shqiptare. Së fundmi ishte radha e Brazilit, ku Prokuroria e Posaçme ka dy çështje mjaft të rëndësishme në hetim. Por vizita e prokurorëve të Posaçëm atje në fillim të nëntorit 2024 e për më tepër bashkëpunimi edhe me DEA-s amerikane, duket se flet për një panoramë më të gjerë se kaq. Grupet kriminale shqiptare mund të jenë fuqizuar edhe atje, por përveçse disa prej tyre dolën zbuluar nga vetë komunikimet që kishin bërë në SKY, duket se lavdia e tyre po zbehet edhe nga fuqizimi i organeve ligjzbatuese.

Në takimin me palën braziliane, ndonëse nuk u tha zyrtarisht, duket se pjesë e bisedimeve ka qenë edhe arrestimi i Ervin Matës.

Në shtator të vitit 2024, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, i kishte dërguar në rrugë diplomatike autoriteteve braziliane dosjen e Ervin Matës.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë braziliane, Alexandre de Moraes, ka urdhëruar ndalimin parandalues ​​të 39-vjeçarit shqiptar, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për trafik droge dhe krim të organizuar. Urdhër arresti mban datën 11 mars 2025, por u publikua vetëm në fund të shtatorit 2025 dhe në atë kohë ishte i listuar si i pazbatuar në Bankën Kombëtare të Urdhër-Arresteve (BNMP).

Autoritetet shqiptare e kanë identifikuar objektivin si banor në Brazil dhe kanë kërkuar që gjykatat braziliane ta ekstradojnë, bazuar në “reciprocitet për raste të ngjashme”. Pas shqyrtimit të kërkesës, Ministria Braziliane e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike vlerësoi kërkesat për  dërgimin e tij në vendin e huaj: Mata nuk është brazilian, krimet për të cilat akuzohet kanë ligje përkatëse në Brazil, Brazili nuk ka juridiksion për të gjykuar krime të tilla dhe çështja nuk është parashkruar. Për më tepër, nuk ka prova që përballet me akuza ose është dënuar ose liruar tashmë në Brazil për të njëjtat fakte, as nuk ka ndonjë kërkesë për azil në emër të shtetasit shqiptar. Paraburgimi është një kërkesë thelbësore që kërkesa për ekstradim të vazhdojë, pa të cilën analiza e kërkesës do të ishte e pamundur. Parakushtet për urdhërimin e masës janë përmbushur. Përveç dokumentacionit mbështetës që vërteton ekzistencën e urdhrit të arrestit të lëshuar nga shteti i huaj, ekziston një përshkrim i detajuar i rrethanave të krimit të trafikimit të drogës: ‘në analizën e provave të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit, ka dyshime të arsyeshme bazuar në prova se Ervin Mata koordinon me bashkëpunëtorët e tij trafikimin e 240 kg kokainë më 29 shtator 2020 në Frankfurt të Gjermanisë. Ekzekutimi i urdhrit të arrestit, kur të ndodhë, duhet t’i komunikohet menjëherë Gjykatës Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit përkatës, sipas urdhrit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë braziliane, Alexandre de Moraes.

Ky urdhër arresti, i firmosur prej datës 11 mars 2025 mbeti i pa ekzekutuar, deri më datë 25 prill 2026, kur Ervin Mata u lokalizua dhe u arrestua. Ai u ndalua në Ilhabela, një zonë bregdetare në Sao Paolo, teksa ndodhej në një lokal. Ai u përpoq të fshihte identitetin e tij, por u njoh nga agjentët, të cilët tashmë kishin informacione të hollësishme rreth të arratisurit. Informacione që në fak i ishin përcjellë autoriteteve braziliane nga Policia shqiptare prej afro 20 muajsh. Nga shkëmbimi i informacionit që Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, kishte pasur me autoritetet në Brazil, u kishte nisur të dhëna për lëvizjet e tij mes Paraguajit, Argjentinës dhe Brazilit. Ndërsa Policia shqiptare kishte të dhëna se ai ishte pajisur me dokumente identifikimi të falsifikuara.

Sipas Policisë shqiptare, Ervin Mata disponon pasaporte bullgare me vlefshmëri deri në 08.10.2024 dhe kartë identiteti bullgare të vlefshme deri në 08.10.2029. Gjithashtu ishte i pajisur me kartë identiteti paraguaiane me vlefshmëri deri në 22.02.2030, me vendlindje Mbretëria e Bashkuar, me emrin Christopher Mark Howie Duarte Vera, datëlindja 28.05.1987.

Pasi ishte ndaluar në një nga lëvizjet e tij nga Argjentina në Brazil, autoritetet lokale i kishin nisur një fotografi të tij Policisë Shqiptare, që kishte konfirmuar të njëjtin person. Policia e Shtetit u ka dërguar edhe gjurmët e gishtave të tij që kishte në dosje, gjurmë që janë përputhur, megjithatë ai nuk mund të arrestohej vetëm pse ishte një shtetas në kërkim, për aq kohë sa nuk hetohej për ndonjë krim në Brazil. Për këtë arsye, autoritetet braziliane kanë kërkuar dosjen e plotë të tij, e cila u është dërguar në rrugë diplomatike në shtator 2024.

Arrestimi i Ervin Matës më 25 prill 2026, sipas mediave braziliane ishte rezultat i një operacioni të përbashkët midis ekipeve të Policisë, të cilët identifikuan mbërritjen e të dyshuarit nga deti. Nga atje, patrullat u intensifikuan në pikat strategjike të qytetit derisa ai u lokalizua. Në momentin e ndalimit ai kishte pasaportë bullgare dhe kartë identiteti paraguaiane, me kombësi britanike, si dhe dy telefona.

Tashmë mbetet vetëm hapi i fundi. Ekstradimi. Në fakt Shqipëria nuk ka një marrëveshje të tillë me Brazilin, por ka një marrëveshje reciprociteti. Tashmë është në dorën e autoriteteve atje. Pasi edhe dosja që është e nevojshme në raste ekstradimesh, është dërguar zyrtarisht para se ai të arrestohej.

Në fund, historia e Ervin Matës nuk është vetëm historia e një arratisjeje të gjatë.

Është historia e një llogarie që u shty në kohë, por nuk u mbyll kurrë.

Nga një natë në Bllok, ku gjithçka nisi si një konflikt i çastit, deri në brigjet e largëta të Brazilit, ku përfundoi në pranga. Rruga e tij tregon se distanca nuk është gjithmonë shpëtim, dhe as heshtja nuk është garanci harrese.

Sepse në një botë ku informacioni qarkullon më shpejt se njerëzit, dhe ku bashkëpunimi mes autoriteteve kapërcen kufijtë, “strehat” bëhen gjithnjë e më të përkohshme.

Tani, gjithçka varet nga një vendim. Ekstradimi.

Dhe ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, historia e nisur në errësirën e një nate në Tiranë, pritet të përballet me dritën e plotë të drejtësisë.

 

ME TE LEXUARAT