EMRAT/ Trafikim fëmijësh në Greqi dhe drogë në Gjermani, ja kush janë 2 kriminelët që u ekstraduan nga Interpol Tirana

Interpol Tirana njoftoi se ka ekstraduar dy persona të dënuar në Shqipëri, duke i sjellë nga Greqia dhe Gjermania.
I pari u ekstraduar nga Greqia i kërkuari Mustafa Saliu, i cili është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 18 vjet burgim, për veprën penale “trafikimi i fëmijëve”, nëpërmjet dhunës, kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore rezulton se gjatë periudhës 2001-2002, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria në Greqi, fëmijë të cilët janë shfrytëzuar për lypje, në rrugët e Athinës, nëpërmjet presionit dhe kontrollit.
“Gjithashtu, u transferua nga Gjermania, për të vuajtur dënimin në Shqipëri, shtetasi Florjan Musaj (Cojocareanu), i dënuar me 8 vjet e 10 muaj burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Gjermani”, thanë burime zyrtare për rastin e dytë.


