FOTO/ Plagosi bashkëkombasin e tij në Tiranë, ky është autori që qëlloi me armë 39-vjeçarin turk

Personi që shihni në foto është autori i dyshuar që plagosi 39-vjeçarin turk mbrëmjen e së hënës në një lokal në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, i plagosuri dhe autori mund të kenë pasur konflikt të mëparshëm, por 39-vjeçari turk nuk është treguar bashkëpunues me policinë për identifikimin e autorit ose për motivet e konfliktit.
Ndërkohë, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit dhe të zonës për të ndihmuar në identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas ngjarjes, 39-vjeçari, u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sioas grupit hetimor, autori dhe i plagosuri kanë qenë në të njëjtin vend por në kate të ndryshme. Autori, i paidentifikuar me emër, pasi ka konsumuar darkën në katin e parë është ngjitur në kat të dytë dhe ka qëlluar drejt Uçar, duke e plagosur me një plumb në shpatull. Pas ngjarjes ai është arratisur me shpejtësi, por policia ka mundur të sigurojë disa foto përmes kamerave të sigurisë dhe po përpiqet të krijojë një identikit të plotë të tij për ta identifikuar.
Gjithashtu, në vendngjarje dhe te tavolina ku ka konsumuar darkën janë përftuar materiale gjenetike të plota për identifikimin. Përmes Interpolit, po punohet me autoritetet turke për të sqaruar jo vetëm identifikimin, por edhe problemet që mund të kenë pasur. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë hakmarrjeje të mundshme për konflikte të tyre në Turqi.


