Kush është Barush Bregu, krahu i djathtë i Licëve që i iku policisë, qëlloi me armë gjatë ndjekjes

Barush Bregu, i njohur edhe si Bajram Bregu, është shpallur në kërkim nga policia pas një incidenti me armë zjarri të ndodhur mesditën e sotme në Shkodër. Ngjarja është regjistruar në lagjen Kiras, ku një patrullë policie i ka bërë shenjë një automjeti të ndalonte. Sipas informacioneve paraprake, gjatë momentit që policia është vënë në ndjekje të mjetit, pasagjeri i tij, Barush Bregu, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Bregu njihet nga autoritetet si person me precedentë penalë dhe konsiderohet një bashkëpunëtor i afërt i familjes Lici. Ai rezulton i shpallur në kërkim edhe për përfshirje të dyshuar në një atentat të mëparshëm në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso, i njohur edhe si Brajoviç, si dhe kamarierja Meri Kaceri. Sipas hetimeve, dyshohet se Bregu ka siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e përdorura në atë sulm.
Emri i tij është përmendur disa herë në dosjet e policisë. Në vitin 2016 ai u dënua me katër vite burg për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Dy vite më pas, gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia gjeti një automatik kallashnikov. Në maj të vitit 2019 ai u arrestua sërish pasi ishte shpallur në kërkim për disa akuza të rënda.
I konsideruar si një nga personat me ndikim në botën e krimit në Shkodër, Bregu dyshohet të ketë qenë një bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Licit, i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars. Familja Lici përmendet prej kohësh në përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri.
Sipas dyshimeve të policisë, Barush Bregu mund të ketë ndihmuar Ibrahim Licin jo vetëm në vrasjen e vëllezërve Bilali, por edhe në ngjarje të tjera kriminale, duke qenë i përfshirë në aktivitetet dhe lëvizjet e tij.
Edhe më herët, gjatë një ndjekjeje nga policia e Shkodrës, Bregu kishte arritur të largohej duke përplasur me automjetin e tij dy patrulla policie. Emri i tij është përmendur gjithashtu edhe në atentatin ndaj Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua me armë zjarri ndërsa ndodhej në një lokal në zonën e Zdrales.
Ngjarja lidhet edhe me një konflikt të hershëm mes palëve. Në vitin 2010, Elis Rroshkodoli kishte plagosur me armë zjarri Hysni Bregun, babain e Barush Bregut, një episod që sipas burimeve konsiderohet si një nga fillesat e përplasjes mes tyre.


