Gërryenin lumin Fan për inerte në mënyrë të paligjshme, kapen 2 persona! Sekuestrohen fadroma dhe kamioni
Kontrollet e ushtruara nga Policia e Lezhës në zonën e lumit Fan në Mirditë kanë zbuluar një rast të shfrytëzimit në mënyrë të paligjshme dhe marrjes së inerteve, duke çuar nën akuzë 2 persona.
Gjithashtu janë sekuestruar 2 mjete të rënda, një fadromë dhe një kamion.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, konstatuan në shtratin e lumit Fan, 2 shtetas që po ushtronin aktivitet të paligjshëm për nxjerrjen e materialeve inerte, pa lejet dhe autorizimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht D. M., 75 vjeç, banues në Tiranë dhe F. P., 68 vjeç, banues në Rubik”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.