Gjykata e Lartë ndryshon kriteret për “arrest në burg”/ Rishikohet praktika për masat e sigurisë

Gjykata e Lartë ka unifikuar pjesërisht kriteret për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke sjellë ndryshime në mënyrën se si gjykatat duhet të arsyetojnë izolimin e të pandehurve.
Sipas praktikës së re, gjykatat duhet të marrin në konsideratë jo vetëm veprën penale, por edhe personalitetin e individit dhe rrethanat konkrete që tregojnë nëse ai paraqet rrezik real për shoqërinë, në rast se lihet me një masë më të lehtë sigurie.
Vendimi thekson se izolimi nuk mund të bazohet thjesht në natyrën e veprës penale, por duhet të argumentohet mbi rrezikshmërinë konkrete të të pandehurit.
Gjithashtu, gjykata e faktit nuk është e detyruar automatikisht të aplikojë masa më të buta si “detyrim paraqitjeje” apo “arrest në shtëpi”, por duhet të vlerësojë rast pas rasti.
Një tjetër risi lidhet me barrën e provës, ku edhe prokuroria tashmë duhet të argumentojë qartë pse kërkon një masë kufizuese të lirisë dhe jo alternativa më të lehta.
Vendimi unifikues i vitit 2011 për masat e sigurimit është ndryshuar unanimisht dhe pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.


