I arrestuar në komisariatin e Durrësit për dhunë në familje, ndërron jetë 63-vjeçari nga Shijaku

Një 63-vjeçar, i arrestuar një ditë më parë për dhunë në familje dhe largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, ka ndërruar jetë në komisariatin e Durrësit.
Në një njoftim të bërë me dije nga policia e Durrësit, 63-vjeçari me inicialet M.G. ndodhej i shoqëruar në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Policisë Durrës, pasi ishte dënuar me 18 ditë burgim dhe pritej të transferohej për vuajtjen e dënimit në IEVP Lushnjë.
Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 15:04, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe menjëherë është transportuar nga shërbimet e Policisë drejt Spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore, ku, pavarësisht asistencës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë në sallën e reanimacionit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave.


