I mori armën efektivit dhe e qëlloi gjatë transportimit, plagoset polici 20-vjeçar në Kuçovë!

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Kuçovë, ku një 45-vjeçar i shoqëruar nga policia ka plagosur me armën e shërbimit një efektiv gjatë transportimit drejt komisariatit.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 19:00, shtetasi me iniciale Z.S., banues në Kuçovë dhe i dyshuar për “Prishje të qetësisë publike”, ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë shoqërimit nga Komisariati i Fierit drejt Komisariatit të Kuçovës. Gjatë konfliktit ai i ka marrë armën e shërbimit efektivit A.T., 20 vjeç, duke e plagosur.
Policia ndërhyri menjëherë duke neutralizuar autorin dhe duke i rimarrë armën, ndërsa efektivi i plagosur u dërgua në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 45-vjeçarit, policia gjeti të fshehur në trup edhe një sasi të dyshuar lënde narkotike kokainë.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes po hetojnë grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë.
Njoftimi i Policisë:
Kuçovë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë.


