“Jam i lodhur, mund të jem pyetur edhe si person në hetim”- Genti Progni pas 6 orësh në SPAK

Programuesi dhe eksperti i IT-së, Genti Progni, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK, ku ka qëndruar për rreth gjashtë orë përpara grupit hetimor dhe prokurorëve.
Ai është thirrur në kuadër të hetimeve që lidhen me një skemë të dyshuar kriminale në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Pas daljes nga SPAK, Progni deklaroi shkurt se çështja është nën sekret hetimor dhe nuk mund të japë detaje mbi dëshminë e tij.
“Është sekret hetimor realisht dhe nuk mund të jap asnjë deklaratë për momentin. Unë jam ndoshta dhe si kallëzues dhe si person në hetim. Jam i lodhur”, u shpreh ai.
Progni është ndër personat publikë që ka denoncuar më herët abuzime të dyshuara me tendera dhe favore në institucion.
Hetimet e SPAK, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, kanë zbuluar një skemë të dyshuar për manipulim të tenderave publikë në AKSHI, përmes presionit, dhunës dhe veprimeve të paligjshme.
Sipas njoftimeve zyrtare, në këtë çështje janë vendosur masa sigurie për tetë persona, përfshirë edhe drejtuesen e institucionit Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi.
Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe persona të tjerë, mes tyre biznesmenë dhe zyrtarë të lidhur me tendera publikë, të dyshuar për disa vepra penale si shkelje e barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.


