Ish-gjyqtarët kërkojnë rikthim! Dyshime mbi shkarkimet e Vettingut pas dënimit të ish-anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm

Procesi i vettingut ndaj drejtësisë është mbyllur, por dyert e Kolegjit të Posaçëm do të qëndrojnë hapur deri në qershor jo vetëm për shkak të mandatit, por edhe sepse po vihet re një fenomen i ri, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar kërkojnë rishikim të vendimeve duke u bazuar tek fakti që dy ish-anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelit janë gjetur fajtorë nga drejtësia.
Nga 29 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që deri më tani kanë kërkuar rishikim vendimi pa pritur Strasburgun, pretendimet e 13 prej tyre do të shqyrtohen në dhomë këshillimi këtë të martë. Kundërshtimi i të shkarkuarve ku insistohet rihapje procesi në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me dy ish-gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Dacin dhe Ardian Hajdarin, të cilët kanë qenë pjesë e trupave në KPA që kanë vendosur t’i largojnë nga sistemi.
Por të dy ata konsiderohen të emëruar si gjyqtarë pa ligj bazuar në qëndrimin e Strasburgut që duke i dhënë të drejtë ish-prokurorit Besnik Cani u theksua se Daci kishte marrë detyrën e gjyqtarit të Vettingut pa u kontrolluar e kaluara e tij që do të thotë ai nuk mund ta ushtronte një detyrë të tillë.
Ish-gjyqtari i Vettingut, Luan Daci u dënua me shërbim prove në Shqipëri për akuzën e falsifikimit të dokumenteve mbasi u provua se gjatë garës si gjyqtar i KPA kishte fshehur një vendim shkarkimi nga detyra prej ish KLD.
Ndërkohë që ish-gjyqtari tjetër Ardian Hajdari ka bërë rekurs në gjykatën e lartë ndaj vendimit të Apelit që e dënoi me një vit shërbim prove për fshehje pasurie. Çdo vendim ku ata kanë marrë pjesë po kundërshtohet me rishikim nga të shkarkuarit, të cilët më herët i kishin denoncuar në SPAK për tu hetuar.
Procesi i Vettingut zgjati tetë vit dhe kaloi në sitat e trefishta 805 gjyqtarë dhe prokurorë, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre doli jashtë drejtësisë. Bëhet fjalë 442 subjekte prej tyre, nga të cilët 268 u shkarkuan, 105 u dorëhoqën dhe 49 dolën pa vendim final.
Me mbylljen e Vettingut stafi kalon në kushtetuese ku do të jenë gjyqtarët kushtetues që do të shqyrtohen në kërkesat e tjera të rishikimit që do të depozitohen nga të shkarkuarit, ose vendime të mundshme të Strasburgut./ Top Channel


