Plagosi 35-vjeçarin me armë zjarri në Kurbin, në kërkim autori dhe një tjetër! Nën hetim edhe mjeku roje i spitalit

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Gurëz, Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim. Në kërkim është shpallur edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi, ndërsa është proceduar penalisht edhe mjeku roje i spitalit për mosnjoftim të Policisë.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi A. T. është konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se e ka plagosur me armë zjarri 35-vjeçarin.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi R. M., 26 vjeç, e ka transportuar të plagosurin në spital dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.
Po ashtu, rreth orës 10:20, në spitalin e Laçit ka mbërritur i plagosur në këmbë me armë zjarri (pistoletë) 35-vjeçari, ndërsa mjeku roje nuk ka njoftuar Policinë, por e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim:
F. C., alias F. S., 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”;
R. M., 26 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka përmbushur detyrat funksionale.
Policia bën me dije se vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.


