Ligj i ri, filtra më të fortë për paratë e dyshimta
Kontrolle më të forta për identifikimin e klientëve dhe për monitorimin e transaksioneve financiare. Është ky fokusi i propozimit të bërë nga qeveria, që sjell ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, me qëllim rritjen e transparencës dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit në sistemin financiar.
Sipas relacionit shoqërues të ligjit, bankat, institucionet financiare, noterët, agjencitë imobiliare dhe pikat e këmbimit valutor do të kenë detyrime më të zgjeruara për verifikimin e klientëve dhe të burimit të fondeve, veçanërisht për transaksionet me vlera të larta ose për aktivitetet që konsiderohen me rrezik më të madh.
“Subjektet duhet të kryejnë verifikime më të detajuara për klientët dhe për përfituesit përfundimtarë të transaksioneve. Në rastet kur identifikohen lëvizje financiare të pazakonta ose të pajustifikuara ekonomikisht, ato duhet të raportohen menjëherë pranë autoriteteve përgjegjëse”.
“Ndryshimet parashikojnë masa për monitorimin e burimeve të financimit dhe përdorimit të fondeve nga organizatat jofitimprurëse, me qëllim parandalimin e përdorimit të tyre për financim të aktiviteteve të paligjshme. Gjithashtu forcohen mekanizmat e raportimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave”.
Autoritetet synojnë që, përmes këtyre ndryshimeve, të rritet siguria e sistemit financiar dhe të parandalohet depërtimi në ekonomi i parave me burim kriminal./Tema



