Ndërtimet pa leje/ Rama paralajmëron ndërtuesit: I përdorni njerëzit si Hamasi, i fusni pa bërë as ashensorë
Këtë të premte, 3 tetor, kryeministri Edi Rama po zhvillon një konferencë me gazetarët në Kryeministri, së bashku me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Rama paralajmëroi konfiskimin e ndërtimeve pa certifikatën e përdorimit dhe thekson nevojën për respektim të standardeve estetike në qytet.
“Në radhë të parë është e drejta e çdo kush që jeton në këtë qytet që të ketë rreth e rrotull gjëra të bukura, jo shëmtira, kështu që nuk është një shpikje e jonë, por edhe për fasadën, siç thonë edhe legjislacionet e tjera, mund të shkojë në konfiskim total.
E kanë bërë si Hamasi për të mbrojtur veten, i kanë futur njerëzit nëpër shtëpi pa mbaruar punimet, pa vënë as ashensorët, dhe e kanë bërë të pamundur që të ndërmerren masat ekstreme. Sepse çfarë do konfiskosh aty kur njerëzit janë brenda? Si do ta konfiskosh? Nuk ka më ujë e drita pa marrë certifikatën e përdorimit dhe asnjë qindarkë të paguar nga njerëzit për të bërë shtëpi pa patur lejen e përdorimit. Nuk ka më që tjetër bën! Kështu do shkohet deri në konfiskim.”, tha Rama.
Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se do jetë detyrim me ligj krijimi i fondit të gjelbër dhe ndërtuesit janë të detyruar të mbjellin pemë, në raport me sipërfaqen që po ndërtojnë.
“Një tjetër masë është krijimi i fondit të gjelbër, i cili përcakton që subjektet ndërtuese duhet të mbjellin një sasi të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e ndërtimit, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nëse një subjekt, për shembull, do të ndërtojë një sipërfaqe me 5 mijë metra katrorë, me këtë ligj lind detyrimi për një numër të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen që do të ndërtojë.
Është në raport me një plan që kemi përpunuar. Do të krijojmë fidanishtet publike në pjesë të ndryshme të territorit dhe në ato pjesë të ndryshme të territorit do të sjellin pemët.
Nuk ka më histori që ‘po, unë do sjell pemët dhe hajde shihemi’.
Do të ketë një katalog të caktuar dhe subjektet do të dorëzojnë pemët. Kush ndërton më shumë, do të mbjellë më shumë pemë.”, tha Rama.