Policia ndjek dhe arreston 40-vjeçarin e droguar në Tiranë, drejtonte makinën pa patentë, u rrezikoi jetën efektivëve

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Efekti”, duke arrestuar një 40-vjeçar në sheshin “Wilson”.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi M. P. po drejtonte automjetin pa leje drejtimi, në gjendje të dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotike. Gjatë tentativës për t’u ndaluar nga policia, ai nuk iu bind urdhrit, rriti shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke përplasur edhe një automjet policie.
Pas ndjekjes, ai u kap nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Forcën “Shqiponja” dhe specialistët e antidrogës. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua një sasi e dyshuar kokainë.
Burime nga policia bëjnë me dije se i arrestuari ka kundërshtuar me dhunë edhe gjatë shoqërimit në komisariat.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


