Nis të zbatohet amnistia penale për 1300 të burgosur, lirohen 541 të parët

Aktualitet

Nis të zbatohet amnistia penale për 1300 të burgosur, lirohen 541

Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend, duke sjellë lirimin e menjëhershëm të qindra të dënuarve dhe ulje dënimi për qindra të tjerë.  

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Ministria e Drejtësisë, 541 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgjet, ndërsa 803 të dënuar përfitojnë ulje dënimi. Gjithashtu, 173 raste përfitojnë nga rillogaritja e dënimit dhe 67 të dënuar nga bashkimi i dënimeve. Nga ana tjetër, 609 persona nuk përfitojnë nga amnistia, pasi nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në ligj.

Institucionet e vuajtjes së dënimit me numrin më të lartë të të liruarve janë Lushnja me 127 të liruar, Fieri me 104 dhe Reçi me 101 te liruar.   

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka deklaruar se nga amnistia nuk përfitojnë personat e dënuar për vepra që jane hetuar nga SPAK dhe GJKKO-së, si dhe autorët e një sërë veprave të rënda penale të përjashtuara me ligj.

Nga amnistia e këtij viti, bie në sy Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e banesës së ish-zyrtares Alda Klosi dhe Erisa Fero, e dënuar në një çështje të lidhur me trafik narkotikësh ish-punonjëse e AKSHI-t.

Procesi i lirimit po zhvillohet në të gjitha burgjet e vendit nën mbikëqyrjen e autoriteteve përgjegjëse dhe pritet të përfundojë brenda ditës. Amnistia synon, krahas efektit humanitar për kategori të caktuara të të dënuarve, edhe uljen e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.

ME TE LEXUARAT