“Nju Jorku është Shqipëria e Amerikës!”- Kryebashkiaku Eric Adams zbulon arsyen e vizitës në Vlorë: Më ftoi Rama...
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, me fokus në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe turistik mes dy vendeve.
Në një intervistë të shkurtër për mediat, Adams tregoi se vizita e tij në Shqipëri erdhi me ftesë të kryeministrit Edi Rama, por edhe dëshirës për të forcuar lidhjet me komunitetin shqiptar në Nju Jork, një nga më të mëdhenjtë në SHBA.
“Disa vite më parë, im bir erdhi këtu për të performuar dhe tha se ishte një vend shumë i bukur. Gjatë viteve, në funksionin e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, kam komunikuar me kryeministrin Rama dhe i kisha dhënë fjalën se do të vija ta vizitoja Shqipërinë për të parë mundësitë e biznesit, të investimeve në turizëm dhe për të folur mbi çështjet që lidhen me sigurinë publike”, deklaroi Adams.
Në fokus të bisedimeve zyrtare, sipas Adams, është edhe një projekt i rëndësishëm, vendosja e një linje direkte fluturimi mes Nju Jorkut dhe Shqipërisë.
“Jemi gjithashtu në bisedime për një fluturim direkt nga Nju Jorku në Shqipëri, diçka që e kemi bërë tashmë me Azerbajxhanin dhe tani kemi një linjë të drejtpërdrejtë. Kështu që e shohim këtë si diçka shumë pozitive”, tha ai.
I pyetur për përshtypjet nga qëndrimi në vendin tonë, Adams tha: Ky është një vend i mrekullueshëm. Para së gjithash, njerëzit janë shumë miqësorë. Siguria publike është e jashtëzakonshme, mund të ecësh nëpër rrugë në çdo orë të ditës apo të natës dhe të ndihesh i mirëpritur.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: I keni bërë të kuriozë, pse keni ardhur në Shqipëri?
Eric Adams: Epo, disa vite më parë, im bir erdhi këtu për të performuar dhe tha se ishte një vend shumë i bukur. Gjatë viteve, në funksionin e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, kam komunikuar me kryeministrin Rama dhe i kisha dhënë fjalën se do të vija ta vizitoja Shqipërinë për të parë mundësitë e biznesit, të investimeve në turizëm dhe për të folur mbi çështjet që lidhen me sigurinë publike.
Ai më ftoi të vija. Në fakt, më ftoi gati një vit e gjysmë më parë, por atëherë nuk ishte koha e duhur për mua. Tani është momenti i përshtatshëm, sepse kam kohë të shoh inovacionin. Pata mundësinë të vizitoj një biznes të drejtuar nga gra dhe të ulem me drejtues të tjerë biznesi për të parë se si mund të përmirësojmë turizmin këtu në Shqipëri dhe në Nju Jork — dhe si mund ta përdorim inovacionin për të mundësuar që qyteti ynë të bashkëpunojë me vendin tuaj.
Por duhet ta dini edhe një gjë: Nju Jorku është “Shqipëria e Amerikës”. Ne kemi një nga komunitetet më të mëdha shqiptare, dhe shumë herë shqiptarët që jetojnë në Nju Jork më kanë kërkuar të vizitoj Shqipërinë, kështu që tani kjo është një mundësi për t’i respektuar edhe ata.
Pyetje: Nga ajo që keni parë deri tani, ia ka vlejtur koha e shpenzuar në Shqipëri? Mendoni se Shqipëria ofron mjaftueshëm mundësi që biznesmenët apo turistët amerikanë të vijnë e të investojnë këtu? Do t’ua rekomandonit Shqipërinë miqve tuaj?
Eric Adams: Po, ky është një vend i mrekullueshëm. Para së gjithash, njerëzit janë shumë miqësorë. Siguria publike është e jashtëzakonshme, mund të ecësh nëpër rrugë në çdo orë të ditës apo të natës dhe të ndihesh i mirëpritur.
Ne po shohim disa prej vendeve që duam t’ia propozojmë ekipit të turizmit të Nju Jorkut, për të tërhequr shqiptarët që të vijnë në Nju Jork, dhe njëkohësisht që njujorkezët të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Jemi gjithashtu në bisedime për një fluturim direkt nga Nju Jorku në Shqipëri, diçka që e kemi bërë tashmë me Azerbajxhanin dhe tani kemi një linjë të drejtpërdrejtë. Kështu që e shohim këtë si diçka shumë pozitive.
Gazetari: Po për Vlorën, çfarë mendoni?
Eric Adams: Është një qytet i bukur. Shpresojmë të tërheqim vlonjatët që të vijnë të vizitojnë Nju Jorkun dhe njujorkezët të vijnë të vizitojnë Vlorën.