“Nuk mund t’ua japë lirinë, por mund t’i nderojë”/ Veliaj propozon nga burgu “Qytetar Nderi” për liderët e UÇK-së

Nga qelia ku ndodhet prej muajsh, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dërguar një propozim Këshillit Bashkiak për t’u akorduar titulli “Qytetar Nderi” katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar pak ditë më parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Bëhet fjalë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Sipas propozimit të Veliajt, Tirana nuk ka mundësi t’u japë lirinë, por mund t’i nderojë përmes titullit simbolik të qytetarit të nderit.
Nisma vjen pak ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila i dënoi katër ish-krerët e UÇK-së me një total prej 81 vitesh burgim. Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë.
Propozimi i Veliajt pritet të shqyrtohet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, ndërsa në argumentimin e tij theksohet kontributi që këta persona kanë dhënë gjatë luftës së Kosovës dhe në procesin e krijimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Propozimi i ri vjen në një moment kur vendimi i Hagës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së është ende në qendër të debatit publik, ndërsa mbështetësit e tyre kanë kundërshtuar dënimet dhe kanë paralajmëruar vijimin e betejës ligjore përmes apelimit.


