“Operacioni ‘Ghost Call’ / Goditet skema e mashtrimeve me call center, 10 të arrestuar dhe miliona euro të sekuestruara

Aktualitet

“Operacioni ‘Ghost Call’ / Goditet skema e mashtrimeve me call

Policia e Shtetit / Finalizon operacionin e koduar “Ghost Call”

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake, me mbështetjen e EUROPOL-it dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Goditet, si rezultat i një hetimi dyvjeçar, një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet call center-ave.

Zbulohen 12 ambiente të vëna në funksion të kësaj skeme.

Vihen në pranga 10 shtetas, ekzekutohen 2 masa sigurie ndaj 1 shtetase, si dhe shpallen në kërkim 4 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari me role të ndryshme.

Sekuestrohen 891 735 euro të dyshuara të përfituara nga kjo skemë mashtrimi, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), nëpërmjet të cilave dyshohet se kryhej aktiviteti.

Operacioni “Ghost Call” për goditjen e mashtrimit kompjuterik të kryer nëpërmjet call center-ave është rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat për hetimin e krimit kibernetik, gjatë dy viteve. Hetimi nisi me iniciativën e këtyre strukturave, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, dhe rezultoi me zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Me vendimin nr. 3410, datë 13.04.2026, Gjykata e Tiranës lejoi kontrollin në 3 subjekte në Tiranë, si dhe në 9 banesa të shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjatë ndërhyrjes, në këto ambiente u gjetën shtetas të punësuar si operatorë, duke kryer mashtrim kompjuterik.

Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u ekzekutuan 5 nga 7 masat e sigurisë “Arrest në burg”. Konkretisht, kjo masë u ekzekutua për shtetasit E. D., 47 vjeç; M. H., 23 vjeç; T. A., 22 vjeç; L. T., 32 vjeç; dhe Xh. M., 28 vjeç. Me të njëjtën masë u shpallën në kërkim shtetasit Xh. H., 30 vjeç dhe M. L., 28 vjeç.

Më tej, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen A. V., 33 vjeç. Ndërkaq, me të njëjtat masa u shpall në kërkim shtetasi L. C., 25 vjeç.

Në vijim të operacionit “Ghost Call”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 38 vjeç; E. H., 26 vjeç; B. B., 25 vjeç; K. D., 25 vjeç; dhe E. T., 32 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. J., 24 vjeç. Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari.

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europol-it, pjesëmarrës në operacion.

Gjatë kontrolleve u gjetën 891 735 euro, 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Ndërkaq, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në këtë fushë dhe garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

ME TE LEXUARAT