“Paqja Fiskale”/ Tatimet publikojnë afatet, bizneset kanë kohë deri më 5 qershor për aplikimet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar procedurat e detajuara për zbatimin e “Paqes Fiskale”, duke përcaktuar afatet e aplikimit dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë bizneset për të përfituar nga kjo skemë.
Bizneset që synojnë të përfshihen në “Marrëveshjen e Paqes Fiskale” për vitin tatimor 2026 kanë afat deri më 5 qershor për të aplikuar pranë administratës tatimore. Procesi ka nisur më 15 maj dhe çdo kërkesë e dorëzuar pas këtij afati do të refuzohet.
Pas miratimit të udhëzimit nga Ministria e Financave, Tatimet kanë bërë publike procedurat që bizneset duhet të ndjekin për aplikimin.
Sipas udhëzimit, aplikimi do të kryhet online përmes sistemit e-Filing, ku do të jetë aktiv shërbimi “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. Tatimpaguesit duhet të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentacionin në rubrikën “Çështjet e mia” dhe më pas te “Pyetje e përgjithshme”.
Dokumentet që kërkohen janë:
Formulari i aplikimit
Vërtetimi nga Prokuroria
Dëshmia e penalitetit
Vërtetim nga Drejtoria e Apelimit Tatimor
Vetëdeklarimet përkatëse
Aplikimi konsiderohet i plotë vetëm pasi sistemi konfirmon regjistrimin dhe gjeneron numrin unik të çështjes.
Në rast se konstatohet mungesë dokumentacioni ose pasaktësi në të dhëna, biznesi do të njoftohet elektronikisht dhe do të ketë tre ditë pune kohë për korrigjimin e tyre. Në të kundërt, aplikimi do të refuzohet.
Brenda pesë ditëve kalendarike nga aplikimi, por jo më vonë se 10 qershor 2026, administrata tatimore do t’i komunikojë subjektit vendimin për pranimin ose refuzimin e kërkesës.
Në rast miratimi, hartohet “Marrëveshja e Paqes Fiskale”, e cila nënshkruhet nga drejtoria rajonale tatimore dhe i vihet në dispozicion biznesit në sistemin elektronik.
Më pas, subjektet kanë afat deri më 15 qershor për të dorëzuar marrëveshjen e nënshkruar në sistemin e-Filing, ndërsa deri më 30 qershor duhet të kryejnë pagesën e tatimit dhe të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara për vitet 2023, 2024 dhe 2025.
Sipas udhëzimit të Ministria e Financave, të drejtë aplikimi kanë subjektet që realizojnë të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë dhe që nuk kanë përfituar më parë nga norma të reduktuara apo përjashtime tatimore.
Ligji për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale” ishte pjesë e programit qeverisës në zgjedhjet e vitit 2025 dhe u miratua më 12 dhjetor 2025 me 75 vota pro, 20 kundër dhe asnjë abstenim.


