Seanca për dosjen “Partizani”, Balla përplaset me Malltezin në GJKKO. Deputeti i PS: Prona shtetërore u privatizua në 6 muaj

Taulant Balla, kallëzuesi i dosjes “Partizani” dëshmon sot për togat e zeza të gjykatës së Posaçme, si dëshmitar i thirrur nga organi i akuzës.
Prokurori: Në 2020 keni paraqitur një kallëzim penal? Ku i keni mbështetur këto pretendime?
Balla: Prej 2012 e në vazhdim kam paraqitur dyshimet e mia si është proceduar nga organet përgjegjëse lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”. Ky proces nuk është bërë sipas procedurave ligjore. Të kallëzuarit kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre. Kanë shfrytëzuar lidhjet familjare. Binte në sy që procedurat ishin bërë në kohë rekord. Për 6 muaj ishte bërë njohja, kthimi dhe dorëzimi i godinës. Në 2012, kur bëra investigimet e para edhe si deputet, por edhe si dashamirës i sportit, investigova si një pronë e tillë ishte hequr nga plani i përhapjes.
Momenti i dytë i dyshimit ishte ai i vlerësimit të pronave, sesi godinat mund të vlerësoheshin me atë çmim qesharak prej 10 milionë lekë të reja. Këto ishin dyshimet e hedhura në kallëzim, për veprat penale të pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Kam hedhur edhe dyshimin që kishte ndërmjetësim të paligjshëm mes personit që kishte 1/64 e pronës.
Personi i parë ishte Sali Berisha. Padyshim ai i pari sepse dhëndri i tij, duke përfituar nga kjo lidhje si kryeministër, lidhje shkak pasojë familjare.
Jamarbër Malltezi pyet Taulant Ballën se çfarë pozicioni ka aktualisht?
Balla: Deputet parlamenti. Kryetar i grupit parlamentar, anëtar i këshillit të rregullores, anëtar i kuvendit. Nga shtatori 2005.
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin?
Balla: Në 17 shtator 2020, kam qenë kryetar i grupit parlamentar dhe sekretar i përgjithshëm. Kallëzimin e kam firmosur si qytetar.
Lidhur me këtë çështje unë kam kryer detyrën e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Sepse nëse nuk kallëzon një vepër penale, kryen një vepër penale.


