Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Dhoma e Avokatisë shpall bojkot kombëtar më 9 dhe 10 Tetor

Aktualitet

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Dhoma e Avokatisë shpall

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë pas ngjarjes tronditëse të ndodhur një ditë më parë në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja gjatë ushtrimit të detyrës.

Në një deklaratë zyrtare, Komiteti e cilëson këtë ngjarje si “më të rëndën dhe të paprecedentë që ka ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë në vend”. Si reagim ndaj kësaj ngjarjeje tragjike dhe për të ngritur zërin për sigurinë e aktorëve të drejtësisë, Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkot kombëtar të të gjitha proceseve gjyqësore dhe hetimore, përfshirë ato penale, civile dhe administrative, në datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky bojkot, siç thuhet në vendimin e miratuar njëzëri nga Komiteti Drejtues, është një thirrje publike ndaj institucioneve shtetërore dhe shoqërisë shqiptare, për të garantuar sigurinë dhe integritetin fizik të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në kryerjen e detyrës së tyre.

“I bëjmë thirrje opinionit publik, politikës shqiptare, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjitha palëve të ndërgjegjshme që të reagojnë me përgjegjësi maksimale për të siguruar jetën dhe shëndetin e përfaqësuesve të drejtësisë,” thuhet në deklaratën e firmosur nga Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia.

Sakaq, vendimi i bojkotit nuk do të zbatohet për masat e sigurimit në procesin penal, të cilat do të vijojnë normalisht për të garantuar të drejtat themelore të qytetarëve.

ME TE LEXUARAT