Qeveri teknike, dorëheqje e Ramës dhe kufizim i mandative në pushtet/ Qytetarët ia rilexojnë kërkesat, poshtë zyrës

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili u mor me Dritan Goxhajn, personin që lexoi kërkesat e protestës së një dite më parë, qytetarët kanë vendosur t’i rilexojnë publikisht kërkesat e tyre para Kryeministrisë, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te përmbajtja e tyre dhe jo te individët që i artikulojnë.
Protestuesit kanë renditur sërish kërkesat kryesore të lëvizjes qytetare:
Dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Krijimin e një qeverie teknike me mandat 12-mujor.
Ndryshime kushtetuese dhe ligjore, që përfshijnë:
Reformimin e Kodit Zgjedhor;
Rregulla të reja për financimin e partive politike;
Kufizimin e mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate.
Anulimin e politikave dhe ligjeve që, sipas protestuesve, dëmtojnë interesin publik, përfshirë:
Zonat e mbrojtura;
Trashëgiminë kulturore;
Paketën e Maleve;
Statusin e investitorëve strategjikë.
Hartimin e një kontrate të re sociale mes qeverisë dhe qytetarëve.
Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave, duke e konsideruar këtë protestë si një përpjekje për ndryshime të thella politike dhe institucionale në vend.


