Rama nuk i beson përkthimit?! Apo foli në gjuhën e Macron për shoqëruesit francez të Presidentit
Një veprim në dukje pa interes, por që ka ngjallur habi mes të pranishmëve ka qenë ai i kryeministrit Edi Rama paraditen e kësaj të shtune, teksa fliste në konferencën e përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron, raporton newsbomb.al.
Kryeministri i Shqipërisë ka folur gjatë gjithë kohës në gjuhën shqipe, ndërsa Macron kishte vendosur kufjet e përkthimit dhe gjatë gjithë kohës reagonte ose pohonte me mimikë apo lëvizjet e kokës ato që Edi Rama po thoshte, kryesisht për mbështetjen e Francës në projekte të ndryshme.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri e falenderoi presidentin francez për ndihmën e madhe, mbështetjen ndaj projekteve ambicione në turizëm dhe inovacion siç ishte dje hapja e shkollës franceze të teknologjisë “Ecole 42”, etj.
Por teksa këtë e bëri në gjuhën shqipe dhe Macron e dëgjoi me përkthim, Edi Rama nisi ta bënte edhe në gjuhën franceze. Presidenti në një moment nuk arriti ta kuptonte se çfarë po ndodhte, sepse kishte në vesh kufjen e përkthimit, ndërkohë që edhe fjalimi i Ramës ishte në frëngjisht.
Disi të habitur ishin dhe të pranishmit, kryesisht shoqëruesit e presidentit të Francës. Nuk është e qartë nëse Edi Rama nuk i besoi përkthimit të stafit që merret me përkthimin e delegacioneve, apo dëshironte që t’ia shprehte Macron në gjuhën e tij mirënjohjen për ndihmën e Francës.
Kryeministri Edi Rama ka jetuar disa vite në Paris dhe gjuha frëngë është një ndër gjuhët e huaja që ai e zotëron mjaft mirë, ndaj gjasat janë që ai të ketë shfrytëzuar mundësinë për ta falenderuar delegacionin nga Franca në gjuhën e tyre, sepse nuk ka informacion për ndonjë problem gjatë përkthimit.