Raporti/ Në katër vite mbi 18 mijë familje më pak me ndihmë ekonomike, rritet numri në skemën e PAK

Aktualitet

Raporti/ Në katër vite mbi 18 mijë familje më pak me

Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike në vend ka një trend uljeje nga viti në vit. Nëse në vitin 2021 përfitonin mbi 62 mijë familje, në vitin 2025 ky numër ka zbritur në 43,648. Pra në total, më shumë se 18 mijë familje janë larguar nga skema mbështetëse brenda katër viteve të fundit.

Sipas raportit vjetor të Shërbimit Social Shtetëror, krahasuar me vitin 2024, kur përfitonin 46,878 familje, në vitin 2025 ka 3,230 familje më pak në skemë. Ky reduktim, sipas dokumentit zyrtar, lidhet kryesisht me forcimin e kontrolleve dhe verifikimeve në terren.

Largimet më të mëdha nga skema janë evidentuar në qarqet Dibër, Kukës, Korçë dhe Elbasan. Një pjesë e konsiderueshme e largimeve lidhet edhe me arsye procedurale, si mosdeklarimi i të ardhurave, mospërputhje në dokumentacion apo mosparaqitje për deklarimet tremujore.

Janë konstatuar po ashtu edhe raste abuzimi, ku familje kanë përfituar ndihmë pa qenë realisht në nevojë, shpesh si pasojë e vlerësimeve të pasakta ose mungesës së verifikimeve të plota.

Nga ana tjetër, skema për personat me aftësi të kufizuar paraqet një prirje të kundërt. Gjatë vitit 2025, numri i përfituesve arriti në 76,586 persona, pa përfshirë kujdestarët, duke shënuar një rritje prej 3,027 individësh krahasuar me një vit më parë. Konkretisht, në këtë kategori rezultojnë 57,030 me aftësi të kufizuar, 5,710 me status para-tetraplegjie dhe 15,303 të verbër.

Por raporti nxjerr në pah një hendek të theksuar mes rekomandimeve dhe zbatimit real të tyre. Komisionet shumëdisiplinore kanë rekomanduar 1,707 individë për punësim apo formim profesional gjatë vitit 2025, por në praktikë vetëm 65 persona kanë përfituar realisht.

Arsyet kryesore lidhen me mungesën e shërbimeve konkrete në nivel bashkie, vështirësitë procedurale për përfshirje në programe formimi, si dhe problemet me sistemet elektronike që pengojnë kategori të caktuara të regjistrohen. Po ashtu, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe ndjekjes së rasteve mbetet një sfidë e vazhdueshme.

Raporti evidenton gjithashtu problematika në dokumentacion, ku në 144 dosje mungonin të dhëna të rëndësishme mjekësore sipas standardeve të vlerësimit biopsikosocial.

Familjet me ndihmë ekonomike gjatë viteve

Gjatë vitit 2025 – 43648 familje me ndihmë ekonomike
Gjatë vitit 2024 - 46878 familje me ndihmë ekonomike
Gjatë vitit 2023 - 55411 familje me ndihmë ekonomike
Gjatë vitit 2022 -57160 familje me ndihmë ekonomike
Gjatë vitit 2021 - 62030 familje me ndihmë ekonomike/Shqiptarja

ME TE LEXUARAT