Rreth 87 mln euro u dhanë në 5 vite për naftën pa taksa në bujqësi! Numri maksimal i përfituesve ishte 54 mijë fermerë

Fermerët kanë paguar vetëm 76.3 lekë për të blerë një litër naftë gjatë vitit të kaluar, pasi taksat, të cilat në vlerë ishin përllogaritur nga Ministria e Bujqësisë në 97.8 lekë/litër, mbuloheshin nga buxheti i shtetit përmes skemës së mbështetjes.
Si çmim reference për naftën ishte vlera prej 174.1 lekë/litër me TVSH, e publikuar nga INSTAT-i për muajin dhjetor 2024.
Barasvlera e lehtësimit fiskal për litër naftë:
Akciza: 38.8 lekë/litër
Taksa e qarkullimit: 27 lekë/litër
Taksa e karbonit: 3 lekë/litër
TVSH (20%): 29 lekë/litër
Kjo skemë, e cila ka funksionuar prej vitit 2021, tashmë nuk do të jetë më në fuqi për fermerët. Për vitin 2026, lehtësirat për çmimin e naftës nuk janë përfshirë, me argumentin se mbështetja për fermerët do të bëhet përmes kompensimit 10% për faturat, rritjes së financimit për mbrojtjen biologjike në sera, si edhe për blegtorët.
Por sa fermerë kanë marrë naftë pa taksa në këto 5 vite?
Kur skema nisi zbatimin për herë të parë në vitin 2021, pati në total 21,502 aplikime, me një mbulim të sipërfaqes së mbjellë prej 56,505 hektarësh. Asokohe përfituan rreth 19,225 aplikues, me rreth 4.1 milion litra naftë.
Skema shërbeu si një mekanizëm i ri edhe për të formalizuar sektorin, pasi naftën e merrnin vetëm ata që kishin NIPT.
Në vitin 2022, kërkesa ka qenë shumë e lartë. Në total përfituan mbështetje 34,731 fermerë, me një fond total prej 1.9 miliardë lekësh.
Në vitin 2023 u bënë në total 54,691 aplikime, por ishin 54,217 fermerë të cilët përfituan 12.8 milion litra naftë, ose gati 2.4 miliardë lekë.
Më tej, në vitin 2024, nga skema e rimbursimit të naftës në bujqësi u shpallën 52,195 përfitues, me një fond prej 2.2 miliardë lekësh, ndërsa në vitin e kaluar e përfituan këtë subvencion 50,062 fermerë, me një total prej 2.1 miliardë lekësh.
Në 5 vite, nga buxheti i shtetit janë dhënë gati 87 milionë euro, në mënyrë që fermerët ta përfitonin naftën me çmim të reduktuar, në të cilin nuk përfshiheshin taksat.
Tashmë, fondet që shkonin për këtë skemë të dedikuar për naftën janë shpërndarë në masa të tjera, si rritja e financimit për blegtorët që kanë ferma gjedhësh, të imtash, derrash apo merren me bletari. Ndërsa në bujqësi shtohet financimi për mbrojtjen biologjike, e cila synon që, në vend të pesticideve, të përdoren insekte jo të dëmshme./Shqiptarja


