Rrufeja godet tufën me dhi në Shebenik, ngordhin 15 bagëti, bariu i moshuar shpëton për mrekulli

Sipas informacioneve të siguruara nga banorë dhe barinj të zonës, gjatë stuhisë janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Malësinë e Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit, duke krijuar momente paniku dhe frike për banorët që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura.
Në fshatin Spathar në Njësinë Administrative Qendër , në vendin e njohur si “Arrës” një tufë me dhi është goditur nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, 15 bagëti kanë ngordhur në vend, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes së bariut Shaban Kurti.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e tufës së bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe veterinarët janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike.