Konflikt mes vëllezërve në Kavajë, ekzekutohet me thikë 74-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës fshatin Agonas në Kavajë, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar në mënyrë tragjike me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacioneve paraprake, dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur ushqim për blegtorinë, kur mes tyre ka nisur një debat për motive ende të paqarta.
Konflikti është përshkallëzuar me shpejtësi, duke degjeneruar në dhunë fizike.
Gjatë përplasjes, njëri prej vëllezërve dyshohet se ka goditur me mjet prerës vëllanë e tij 74-vjeçar, i cili ka marrë plagë të rënda. Pavarësisht përpjekjeve për t’i ardhur në ndihmë, i moshuari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje, ku po kryejnë veprimet procedurale dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar nga uniformat blu për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet që çuan në këtë konflikt fatal brenda familjes.


