Familja e Gjergji Lalës kallëzon spitalin në Romë, Prokuroria italiane hap hetim për vrasje nga pakujdesia

Showbiz

Familja e Gjergji Lalës kallëzon spitalin në Romë,

Vdekja e aktorit të njohur shqiptar Gjergji Lala në Poliklinikën “Umberto I” në Romë ka sjellë hapjen e një hetimi nga autoritetet italiane, pas kallëzimit të paraqitur nga familjarët e tij.

Sipas familjes, 78-vjeçari nuk ka marrë ndihmën e duhur mjekësore në momentet kritike, çka sipas tyre mund të ketë ndikuar në humbjen e jetës së aktorit. Në denoncimin e dorëzuar pranë organeve të drejtësisë italiane, familjarët pretendojnë se Gjergji Lala ndërroi jetë pa ndërhyrjen e nevojshme të personelit mjekësor.

“Babai ynë vdiq para syve tanë, pa bërë askush asgjë për ta ndihmuar”, thuhet në kallëzimin e familjes, sipas mediave italiane.

Pas këtij denoncimi, Prokuroria e Romës ka regjistruar një procedim për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, ndërsa hetimet janë ende në fazën paraprake. Aktualisht nuk ka persona nën hetim, por autoritetet po mbledhin të gjitha provat dhe dokumentacionin mjekësor që lidhet me rastin.

Një rol kyç në zbardhjen e ngjarjes pritet të luajë autopsia, rezultatet e së cilës do të ndihmojnë prokurorët të përcaktojnë shkaqet e sakta të vdekjes dhe nëse ka pasur përgjegjësi nga ana e stafit mjekësor.

Sipas raportimeve nga Italia, aktori kishte mbërritur në spital në gjendje të rënduar shëndetësore. Ai vuante prej kohësh nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë komplikacione në veshka, ndërsa më herët i ishte nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një tumori në fshikëzën urinare.

Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përcaktojnë nëse ka pasur neglizhencë në trajtimin mjekësor të aktorit shqiptar.

 

ME TE LEXUARAT