KPA shkarkon ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, doli në dosjen "Toyota Yaris"

Aktualitet

KPA shkarkon ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, doli në dosjen

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili ndodhet në paraburgim prej korrikut të vitit 2024, kur u arrestua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në disa çështje, përfshirë edhe atë të njohur si “Toyota Auris”.

Prokurori Aurel Zarka ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit një muaj para arrestimit, pas një seance dëgjimore të shkurtër, në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cenonin atë.

Pas arrestimit, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke ngritur shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit.

Edhe drejtuesi i SPAK qëndroi pas shkaqeve të ankimit dhe kërkoi shkarkimin e Zarkës për cënim të besimit të publikut, ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Julian Mërtiri, e cilësoi të parakohshëm vlerësimin e figurës bazuar në të dhënat e çështjes penale në ngarkim të subjektit.

Korrupsioni që u zbulua nga “Sky ECC” dhe GJKKO ndan çështjen për ish-kryeprokurorin Aurel Zarka. Mërtiri argumentoi se kërkesa e SPAK-ut bazohej vetëm në të dhënat e çështjes penale ndaj Zarkës, e cila është ende në gjykim dhe nuk ka vendim përfundimtar. Ai deklaroi se subjekti kërkonte pafajësi dhe konfirmim në detyrë.

Gjatë shpalljes së vendimit, Kolegji konstatoi se subjekti ka pasur pamundësi për të justifikuar blerjen e një apartamenti dhe dy grazheve, të cilat sipas deklarimeve janë krijuar nga kursimet e babait të tij të ndjerë, të përfituara nga puna në emigracion, para fillimit të detyrës si prokuror.

Sipas KPA-së, nuk janë provuar të ardhurat e babait në emigracion. Po ashtu, u konstatua se të ardhurat nga shitja e këtyre pasurive kanë shërbyer për krijimin e likujditeteve. Kolegji solli në vëmendje faktin se Zarka ka blerë një apartament më lirë se çmimi i tregut dhe e ka shitur më vonë sa dyfishi i çmimit të blerjes.

Për figurën, Kolegji bëri me dije se, pas studimit të të dhënave nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) lidhur me figurën, konstatohen të njëjtat shqetësime si ato të drejtuesit të SPAK. Në një procedim penal të vitit 2019 u vunë re mangësi profesionale, të cilat, megjithatë, nuk ishin të mjaftueshme për shkarkim, por u morën parasysh në vlerësimin e tërësishëm.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, gjyqtarja Natasha Mulaj, konstatoi përfshirje sistematike të Zarkës në komunikime të koduara, të cilat Gjykata e Posaçme i ka lidhur me njëra-tjetrën. Mbrojtësi ligjor i Zarkës nuk ngriti pretendime për pavlefshmëri ose papërdorshmëri të akteve.

Sipas Kolegjit, pavarësisht nëse komunikimet përbëjnë apo jo vepër penale, ato janë të papërshtatshme dhe të mjaftueshme për të cënuar figurën e magjistratit, si dhe përshtatshmërinë, etikën dhe rregullat e sjelljes që duhet të ketë një prokuror. Pretendimet se shqyrtimi i të dhënave për të cilat nuk ka vendim përfundimtar cënon procesin ligjor, u gjetën të pabazuara.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se gjetjet në të tre kriteret dëmtojnë rëndë besimin e publikut dhe për rrjedhojë prokurori Aurel Zarka rezulton i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Bazuar në këtë, KPA vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të Aurel Zarkës.

Njoftimi i KPA-së:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shpalli vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, lidhur me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.

Trupi gjykues përbëhej nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo. Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi në mënyrë unanime:

Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm./Shqip

ME TE LEXUARAT