Zbulohen prezantuesit e rinj të Oscars 2026

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar prezantuesit e rinj për edicionin e 98-të të Academy Awards. Mes tyre janë Will Arnett, Priyanka Chopra Jonas, Robert Downey Jr., Anne Hathaway, Paul Mescal dhe Gwyneth Paltrow.
Më herët ishte bërë e ditur se në ceremoni do të jenë prezantues edhe fituesit e katër çmimeve kryesore të aktrimit të vitit të kaluar: Adrien Brody, Mikey Madison, Kieran Culkin dhe Zoe Saldaña. Në listë janë gjithashtu Javier Bardem, Chris Evans, Chase Infiniti, Demi Moore, Kumail Nanjiani dhe Maya Rudolph. Emra të tjerë pritet të shpallen në ditët në vijim.
Ceremonia e këtij viti do të prezantohet sërish nga Conan O’Brien dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu të dielën, më 15 mars.
Transmetimi do të përfshijë edhe performanca live të dy këngëve të nominuara për Kënga më e Mirë Origjinale: “Golden” nga filmi KPop Demon Hunters dhe “I Lied to You” nga Sinners.
Filmi Sinners është produksioni me më shumë nominime këtë vit. Ndër aktorët e nominuar janë Timothée Chalamet, Leonardo DiCaprio, Ethan Hawke, Michael B. Jordan, Wagner Moura, Jessie Buckley, Rose Byrne, Kate Hudson, Renate Reinsve dhe Emma Stone. Gjithashtu në garë janë Benicio del Toro, Jacob Elordi, Delroy Lindo, Sean Penn, Stellan Skarsgård, Elle Fanning, Inga Ibsdotter Lilleaas, Amy Madigan, Wunmi Mosaku dhe Teyana Taylor.
Këtë vit, Oscars do të prezantojë edhe një kategori të re konkurruese për Best Casting (Përzgjedhja më e mirë e kastit). Filmat e nominuar në këtë kategori janë Hamnet, Marty Supreme, One Battle After Another, The Secret Agent dhe Sinners.

