Zjarret rrethojnë Delvinën, rrugët mbushen me makina, banorët largohen me shpejtësi
Zjarri afrohet me shpejtësi drejt qytetit, rrugët mbushen me makina, banorët largohen me shpejtësi. flakët zbresin në spitalin pranë qytetit dhe lagjeve.
Për të shmangur ngjarje të mundshme tragjike, është urdhëruar largimi i bombolave të oksigjenit në spital, që të mos shkaktojnë shpërthime dhe viktima. largimi i tyre po bëhet nga punonjësit dhe stafi.
Zjarri ka rrethuar qytetin nga veriu dhe lindja, duke detyruar policinë të evakuojë banorët nga dy lagjet e sipërme.
Përmasat e tij cilësohen të jashtëzakonshme, ndërsa ndërhyrja ajrore nuk është e mundur gjatë natës. Dyshohet se disa banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për momentin është e vështirë të bëhet evidentimi i dëmeve për shkak të tymit të dendur dhe qasjes së kufizuar në terren.
Në zonë po punojnë dhjetëra forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për çmontimin dhe largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën.
I gjithë personeli mjekësor është në gatishmëri për të mbrojtur ambientet me mjetet që kanë në dispozicion, ndërkohë që çdo pacient është evakuuar në ambiente të sigurta.
Era e fortë po fryn në drejtim të qytetit, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke rritur rrezikun për banorët. Dhjetëra familje po largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e forcave të rendit.
Ministria e Mbrojtjes njofton se aktualisht në territorin e vendit janë 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe shtatë po mbahen nën monitorim. Situata më kritike shënohet në jug të vendit, ku rreziku për banesa, infrastrukturë dhe zona të mbrojtura është tepër i lartë.
Ministria e Mbrojtjes:
Qarku Vlorë
Bashkia Delvinë – Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.
Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.
Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.
Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.
Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.
Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.
Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.
Situatë kritike në Delvinë, zjarret afrohen pranë impiantit të gazit
Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet e rëndë.
Kritike duket situata në Delvinë ku zjarret janë shumë pranë një impianti gazi duke rrezikuar një katastrofë me përmasa të paimagjinueshme.
Siç duket edhe nga foto situata është mjaft kritike.