Shtëpia e Bardhë konfirmon datën dhe vendin e takimit mes Trump dhe Putin për luftën në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar zyrtarisht se takimi mes Presidentit Donald Trump, dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, do të zhvillohet të premten, më 15 gusht, në qytetin Anchorage të Alaskës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi kete fakt gjatë një konference për shtyp. Ajo theksoi se bisedimet mes dy liderëve do të fokusohen në mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Presidenti Trump është i vendosur të bëjë gjithçka për të ndalur këtë luftë dhe për të ndaluar vrasjet. Siç e ka theksuar shpesh, ai gjithmonë do të zgjedhë paqen dhe bashkëpunimin, kurdoherë që ato janë të mundshme,” – deklaroi Leavitt.
Ajo shtoi se ky takim po ndodh pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Presidenti Putin, e bërë përmes të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff. “Qëllimi është që të dy liderët të largohen nga ky takim me një kuptim më të qartë se si mund të arrihet një fund i këtij konflikti,” – shtoi zëdhënësja.
Në lidhje me mungesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në këtë takim, Leavitt u përgjigj:
“Vetëm njëra palë e përfshirë në këtë konflikt do të jetë e pranishme. Presidenti po shkon atje për të kuptuar më mirë se si mund të arrihet paqja.”
Sipas saj, administrata amerikane ka shfrytëzuar çdo mjet diplomatik për të arritur një marrëveshje paqeje, dhe Trump mbetet shumë optimist për rezultatet që mund të sjellë ky takim.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio, zhvilluan një bisedë telefonike përgatitore në lidhje me takimin Trump–Putin. Sipas agjencisë ruse TASS, të dy palët konfirmuan gatishmërinë për bisedime konstruktive dhe produktive.
Një ditë përpara takimit në Alaska, më 13 gusht, Presidenti Trump do të zhvillojë një telekonferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të vendeve europiane, sipas burimeve të NBC News. Në këtë komunikim do të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti i SHBA, J.D. Vance.
Pas kësaj bisede, është parashikuar një tjetër raund diskutimesh mes Zelenskyt dhe aleancës së gjerë të vendeve që mbështesin Kievin, ku përfshihen edhe Britania dhe Kanadaja. Trump dhe Vance nuk do të marrin pjesë në këtë takim të dytë.