SPAK aksion në Vlorë, dështon arrestimi i Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj

Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit si dhe RENEA zbarkuan në Vlorë për goditjen e grupeve kriminale të akuzuara për vrasje, atentate dhe trafik droge.
Zbërthimi i aplikacioneve të koduara SKY-ECC çoi SPAK në zbardhjen e vrasjeve dhe disa episodeve të trafikut të drogës.
Kontrollet nisën prej orës 04:00 të mëngjesit ku mësohet se agjentët e BKH-së mësynë në bazën e të fortit të Vlorës, Inez Hajrulla.
SPAK ka lëshuar 7 urdhër arreste, mes tyre edhe për Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, por të dy i kanë shpëtuar operacionit të SPAK dhe nuk janë vënë në pranga.
2 prej personave të përfshirë në këto ngjarje kriminale u është komunikuar masa në qeli, ndërsa 3 të tjerë, rezultojnë të arrestuar në Itali e Greqi.
Hajrulla dhe Matodashajn, të vetmit që rezultonin në Shqipëri janë shpallur në kërkim.
Burime bëjne me dije se Prokuroria e Posaçme ka arritur që të zbardhë aktivitetin kriminal pas arrestimit të Flodian Plakut, i njohur si Poli Qorre, ku në celularin e tij u gjetën disa mesazhe që kanë ndihmuar në zbardhjen e krimeve.
Mes tyre është edhe vrasja e Gentian Qarrit, krim i ndodhur 5 vite më pare. 40-vjeçari Gentjan Qarri, pasditen e 6 shkurtit të vitit 2021 po lëvizte në këmbë ku ndaj tij u qëllua breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur në vend.
Qarri ishte dënuar më herët për trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Autorët dogjën mjetin pranë Pyllit të Sodës dhe humbën gjurmët.


