Akuzat për korrupsion/ SPAK kërkon 3 vite burg për ish-kryebashkiaken e Tropojës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lexuar konkluzionet përfundimtare për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesin Rrok Gega, të akuzuar për korrupsion lidhur me një procedurë tenderuese.
Prokurori i çështjes, Bledar Maksuti, kërkoi dënimin e Islamajt me 3 vite burg, dënim që sipas kërkesës së organit të akuzës të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Për ndërtuesin Rrok Gega, SPAK kërkoi 1 vit burg, me konvertim në 2 vite shërbim prove.
Sipas akuzës, Zyra Islamaj dyshohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega akuzohet për “korrupsion aktiv”.
Hetimet lidhen me një tender publik, ku sipas SPAK, ish-zyrtarja e Bashkisë Tropojë i kishte kërkuar ndërtuesit Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, një projekt që nuk ishte parashikuar në kontratën e tenderit.
Prokuroria pretendon se Islamaj ka ndërhyrë pranë ndërtuesit për realizimin e kësaj ure dhe se në këtë proces ka përfshirë edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki për të ndihmuar në realizimin e punimeve.
Pritet që gjykata të japë vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje në vijim.


