Debati Rama-Spiropali, Braçe mbështet ish-ministren: Pse të përjashtohet? Kritikat janë reale

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për herë të parë lidhur me debatet publike mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali, duke mbajtur një qëndrim në mbështetje të kësaj të fundit për çështjet që ajo ka ngritur brenda Partisë Socialiste.
I ftuar në Euronews Albania, Braçe u shpreh se nuk sheh asnjë arsye pse Spiropali duhet të përjashtohet, duke theksuar se ajo ka ngritur shqetësime reale që sipas tij ndahen edhe nga deputetë të tjerë socialistë.
“Pse duhet të përjashtohet zonja Spiropali? Nuk e kuptoj pse duhet të kërkohet përjashtimi i saj. Këto janë gjëra normale në këndvështrimin tim”, tha Braçe.
Ai shtoi se vendime të tilla nuk mund të merren nga një individ i vetëm, por janë kompetencë e partisë.
“Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë. Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, u shpreh ai.
Braçe pranoi gjithashtu se problematika si “ministrokracia” dhe “drejtorokracia”, të denoncuara nga Spiropali, janë shqetësime reale brenda mazhorancës.
Sipas tij, personalizimi i pushtetit krijon pabarazi mes ministrave dhe deputetëve të thjeshtë, pasi ministrat kanë në varësi të gjithë hierarkinë shtetërore, ndërsa deputetët e tjerë jo.
Lidhur me deklaratën e Ramës se Spiropali është “investimi” i tij, Braçe tha se kjo mbetet një çështje personale mes tyre, por nënvizoi se të gjithë janë “investim” i Partisë Socialiste dhe kanë detyrime ndaj saj.


