SPAK kundërshton lirimin e Ilir Metës, prokurori: Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re

SPAK ka kundërshtuar kërkesën e paraqitur nga avokati i Metës për lirimin e tij, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushte të reja që justifikojnë ndryshimin e masës së sigurisë.
Prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi, deklaroi gjatë seancës se mbrojtja nuk ka paraqitur asnjë provë të re për zëvendësimin e masës së sigurisë apo për zbutjen e nevojave të sigurimit.
“Vendimi i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Mbrojtja nuk paraqiti asnjë provë për zëvendësimin e masës, për zbutjen e nevojave të sigurimit apo për dyshimin e arsyeshëm. Nuk ka kushte apo rrethana për zëvendësim mase”, u shpreh prokurori Kllapi.
Nga ana tjetër, avokati Kujtim Cakrani kërkoi lirimin e Metës, duke iu referuar edhe një vendimi të fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, i cili lidhet me interpretimin e masave të sigurisë.
Gjatë seancës, Cakrani përmendi edhe rastin e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke deklaruar se “Gjykata e Lartë e liroi atë, ndërsa Metën e mban prej 19 muajsh në paraburgim”.
Avokati shtoi se mbrojtja është e gatshme të ofrojë edhe garanci pasurore, sipas vlerësimit që mund të caktojë gjykata.
Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe opozitës, mes tyre Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimet e seancës.


