U zhvatën gjermanëve 363 mijë euro përmes mashtrimit me Call Center, SPAK çon për gjykim 8 anëtarët e grupit

TIRANË - Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të 8 anëtareve të grupit që mashtronin shtetas gjermanë nga një Call Center i paligjshëm që vepronte në Tiranë, duke u marrë para. Vlera e dëmit të shkaktuar e dokumentuar për një periudhë disa mujore është 363 501 Euro, për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani. SPAK thotë se vlera e ulët e dëmit të shkaktuar lidhet edhe me parandalimin e qindra tentativave për mashtrim.
Emiljano Sejdillari, Tafil Dyrmishi, Sokol Krasniqi, Eltion Logu, Rodrigo Guga, Lisjane Çulani, Mateo Llozhi dhe Kejdi Nuka u prezantoheshin gjermanëve si oficerë policie që do t’u mundësonin rikuperimin e parave të humbura për investime në Forex apo Crypto.
SKEMA E MASHTRIMIT SIPAS SPAK
Më 14.12.2023, një grua e dëmtuar nga zona Freiburg, Gjermani, u bë viktimë e një tentative mashtrimi nga një grup i organizuar, të cilës i kërkuan një shumë prej 120.000 euro. Në sajë të punës së policisë gjermane u pengua dorëzimi i shumës së kërkuar nga autorët e veprës penale.
Prej datës 18 dhjetor 2023, nga përgjimet e telefonit të shtëpisë të së dëmtuarës është identifikuar dhe numri i personave të dyshuar. Që nga nisja e përgjimit janë zbuluar nga autoritetet policore gjermane disa qindra mijëra telefonata ose tentativa për telefonata përmes këtij numri. Thirrjet janë përdorur për të kryer lloje të ndryshme të veprave të mashtrimit, disa të kryera, disa të mbetura në tentativë).
Autorët përdornin aplikacionin “Caller-ID-Spoofing” për të shfaqur numra të ndryshëm në telefonat e të dëmtuarve, me qëllimin për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë. Gjatë hetimit kibernetik u zbulua se telefonatat me palët e dëmtuara, bëheshin duke përdorur teknologjinë “Voice-over-IP” përmes “Server-ëve” të vendosur në Gjermani. Autorët zakonisht përdornin shërbime anonimizuese si “VPN” për të fshehur identitetin e tyre. Megjithatë, gjatë vlerësimit të të dhënave në këto “Server-a”, ekspertët e IT-së të Policisë së Shtetit në Gjermani indentifikuan adresat e jashtme të IP-së që tregonin lidhjet në internet dhe pajisje fundore.
Nga interpretimi dhe vlerësimi i këtyre të dhënave nga specialistët kibernetikë ka rezultuar se të dëmtuarit po telefonoheshin përmes shërbimit telefonik të internetit nga shtete të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë. Janë identifikuar adresat IP, që i përkisnin kompanive “Digicom” dhe “Kujtesa Net” Sh.p.k.Bazuar në kërkesën për ndihmë juridike, përmes të cilës kërkohej identifikimi i adresave IP, është parë e nevojshme kryerja e veprimeve më të gjera dhe regjistrimi i procedimit penal nr.42 i vitit 2024.
Përmes metodave speciale të hetimit u identifikua një qendër thirrjesh në rrugën “Hamdi Sina”, pallatet FZ Construction, kati i 7-të, në Tiranë. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kontrolli u krye më 18.04.2024, rreth orës 09:00. Nga ndërhyrja në objektin “Call Center”, në rrugën “Hamdi Sina” u gjetën dhe u shoqëruan nga policia gjyqësore gjashtë persona të dyshuar dhe u sekuestruan prova të shumta materiale, digjitale dhe dokumentare. Në kushtet e dy hetimeve paralele në Shqipëri dhe në Gjermani, rezultatet dhe provat materiale u dërguan për analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjyqësore gjermane. Analiza e plotë çoi në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të strukturuar kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë përmes Call Centrer, të paregjistruara si biznese në organet tatimore.
AKUZAT
Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi, të akuzuar për kryerjen e veprës penale ”Mashtrim kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunimin në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”
Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”
Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit kompjuterik”


