Ulen ndjeshëm temperaturat, bora mbulon veriun e juglindjen! Rrugë të bllokuara në Fushë Arrëz, Krujë dhe Dibër

Reshjet e borës gjatë mbrëmjes së kaluar mbuluan disa prej zonave në lartësitë e veriut dhe juglindjes së vendit.
Në Fushë Arrëz, trashësia e borës në Qafën e Sharit kaloi 50 centimetër, duke shkaktuar bllokimin e segmentit rrugor Kryezi – Iballë, si dhe të fshatrave që lidhen me qendrën e njësisë administrative. Për hapjen e rrugës kryesore bashkia Fushë Arrës angazhoi një mjet borëpastruese.
Akset nacionale të Pukës dhe Fushë Arrëzit u pastruan gjatë natës nga kontraktorët.
Reshjet intensive të borës gjatë natës kanë bllokuar edhe segmentin rrugor Krujë – Qafë Shtamë, duke shkaktuar izolimin e përkohshëm të shumë fshatrave të njësisë administrative Cudhi.
Qarkullimi po vijon normalisht edhe në Rrugën e Kombit. Autostrada është hapur në të gjithë gjatësinë, duke mundësuar qarkullimin pa rrezik përgjatë saj, teksa probleme me qarkullimin ka në fshatrat e thella të Kukësit.
Në Dibër, trashësia e borës arriti deri në 40 centimetër. Rruga e Arbrit raportohet e kalueshme, teksa autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.
Në akset Peshkopi – Kukës dhe Ura e Çerenecit – Steblevë – Librazhd është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve.
Teksa janë hapur rrugët drejt njësive administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, 8 mjete borëpastruese po punojnë për zhbllokimin e disa fshatrave të izoluara në bashkinë Dibër.
Si pasojë e reshjeve të borës u shënuan ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Sllovës.
Reshjet e borës mbuluan gjatë natës edhe rajonin e Korçës, por fatmirësisht pa shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor, falë edhe ndërhyrjes së shpejtë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve./Shqiptarja


