Taksë vetëm 5% për të rritur vlerën e pronës, Kadastra shpjegon: Rivlerësimi deri më 31 Dhjetor 2026!

Të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme kanë mundësi të kryejnë rivlerësimin e pronës me vlerën e tregut deri më 31 dhjetor 2026, në përputhje me Ligji nr. 85/2025.
Ky proces ju mundëson të përditësoni vlerën e pronës suaj dhe të siguroheni që tatimi të përllogaritet sipas vlerës aktuale të tregut.
Si mund të bëni rivlerësimin?
Rivlerësimi mund të kryhet në dy mënyra:
Përmes një eksperti të licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme
Përmes drejtorive vendore të Agjencia Shtetërore e Kadastrës, duke iu referuar çmimeve minimale fiskale
Si përllogaritet detyrimi?
Tarifa e rivlerësimit është 5% e diferencës midis:
Vlerës së përftuar nga procesi i rivlerësimit (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi), dhe
Vlerës së zbritshme sipas aktit të fundit të regjistruar në ASHK (kontratë blerje, trashëgimi, dhuratë, heqje dorë apo rivlerësim i mëparshëm).
Çmimi minimal fiskal konsiderohet:
Për ndërtesat: çmimi i referencës
Për tokën: çmimi sipas hartës së vlerave
Afati i aplikimit
Të gjitha kërkesat për rivlerësim duhet të dorëzohen deri më 31 dhjetor 2026.
Si të aplikoni?
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania:
Hyni në llogarinë tuaj në e-Albania
Aplikoni shërbimin “Rivlerësimi i pasurisë”
Shtoni shërbimin “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”
Nëse rivlerësimi është kryer nga ekspert i licencuar:
Bashkëngjitni aktin e vlerësimit
Bashkëngjitni kopje të licencës së ekspertit
Çfarë ndodh pas aplikimit?
Pas përllogaritjes së vlerës së rivlerësimit, fatura përkatëse do të shfaqet në profilin tuaj në e-Albania.


