Vetëm pak shqiptarë arrijnë të kursejnë, Shqipëria në nivelin më të ulët në kontinent

Shqipëria mbetet ndër vendet me aftësinë më të ulët për të kursyer në kontinent, ku vetëm një pjesë e vogël e popullsisë arrin të lërë mënjanë para. Të dhënat më të fundit tregojnë se më pak se një e pesta e shqiptarëve mbi moshën 15 vjeç deklarojnë se kanë mundur të kursejnë, një nivel dukshëm më i ulët krahasuar jo vetëm me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me shumicën e vendeve të rajonit.
Krahasuar me shtetet fqinje, Shqipëria renditet në fund të listës për nga përqindja e popullsisë që ka kursime, ndërsa në vendet e BE-së më shumë se gjysma e qytetarëve arrijnë të kenë para të lëna mënjanë. Diferencat janë të ndjeshme edhe brenda vendit, ku aftësia për të kursyer është shumë më e ulët tek familjet me të ardhura të pakta dhe në zonat rurale, ndërsa rritet disi në grupet me të ardhura më të larta dhe në qytete.
Për shumë familje, të ardhurat mujore shkojnë pothuajse të gjitha për shpenzime bazë si ushqimi, energjia, qiraja apo transporti, duke mos lënë hapësirë për kursime.
Të dhënat tregojnë se ndërsa një pjesë e vogël e individëve me të ardhura më të larta arrin të krijojë kursime, shumica e popullsisë përballet me vështirësi të vazhdueshme financiare. Kjo situatë nxjerr në pah nevojën për politika që nxisin rritjen e të ardhurave, forcimin e edukimit financiar dhe krijimin e instrumenteve më të aksesueshme që ndihmojnë qytetarët të kursejnë.


