‘Vlora Invest’ përplas bashkinë me PD, shtyhet votimi në Këshillin Bashkiak

Aktualitet

‘Vlora Invest’ përplas bashkinë me PD, shtyhet votimi

Krijimi i shoqërisë “Vlora Invest”, që pritet të marrë në administrim plazhet dhe asete të tjera publike të qytetit, ka hasur në kundërshtimin e opozitës në Këshillin Bashkiak.

Në mbledhjen e kësaj të premteje, këshilli nuk arriti ta kalojë në votim projektvendimin pasi mungonte kuorumi. Nga 33 këshilltarë në total, në mbledhje ishin prezent vetëm 25.

Në këto kushte mbledhja u shty për të shtunën, ndërsa opozita deklaroi se do të jetë prezente vetëm për votimin e ndihmës ekonomike.

Bashkia e Vlorës synon të krijojë një kompani në pronësi të saj, e cila do të drejtohet nga kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini dhe do të menaxhojë pasuritë publike. Projektvendimi parashikon që bashkia mund t’i vendosë në dispozicion kësaj shoqërie toka, objekte dhe asete të tjera.

Ndër funksionet kryesore të saj parashikohet administrimi i plazheve, një çështje e ndjeshme për qytetin turistik.

Këshilltarët e opozitës e kundërshtojnë krijimin e kësaj shoqërie, duke argumentuar se çdo vendim që lidhet me pronat publike do të merret nga kryetarja Brunilda Mersini pa kaluar në Këshillin Bashkiak.

Një model i ngjashëm është prezantuar para një muaji edhe në Himarë, por këshilltarët e opozitës kanë kundërshtuar krijimin e shoqërisë “Himara Invest”. Edhe per kete shoqeri pritet shqyrtimi në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT