Zbardhet djegia e qëllimshme e makinës së policit në Vlorë, 39-vjeçari u ‘hakmorr’ pasi efektivi e arrestoi

Aktualitet

Zbardhet djegia e qëllimshme e makinës së policit në

Vlorë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.

Policia zbardh dhe dokumenton në kohë të shpejtë djegien e qëllimshme të automjetit në pronësi të një punonjësi policie. Si pasojë e zjarrit u përfshi nga flakët dhe një automjet tjetër.

Identifikohet, kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i zjarrvënies. Gjithashtu është dokumentuar me prova ligjore dhe porositësi për djegien e automjetit, i cili ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”. Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, automjeti me të cilin lëvizte autori i dyshuar.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe profesionale, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. M., 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal, si autor i dyshuar i zjarrvënies. Nga hetimet rezulton se ky shtetas më datë 14.04.2026, ka djegur automjetin e markës “Ford C-Max”, në pronësi të punonjësit të Policisë D. P.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, është përfshirë dhe është dëmtuar edhe një automjet tjetër i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K. Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë identifikimi i porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”. Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026, gjatë të cilit shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë D. P., kanë kapur në flagrancë shtetasin L. H., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për implikimin e personave të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

ME TE LEXUARAT