Zbardhet drafti i Amnistisë Penale: Ja kush përfiton lirinë, ulje të dënimit dhe shpëton nga hetimi

Zbardhet Drafti i Amnistisë Penale, një nismë që synon të zbusë dënimet për një pjesë të të dënuarve dhe të lehtësojë integrimin e tyre në shoqëri. Sipas draftit, Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton mundësinë që disa kategori të të dënuarve të përjashtohen nga vuajtja e dënimit ose ndjekja penale për veprat penale të kryera deri më 31 dhjetor 2025.
Burra që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit të kaluar, me përjashtim të disa kategorive të veprave penale, do të lirohen menjëherë nëse Kuvendi do t’i japë dritën jeshile këtij drafti amnistie penale që qeveria ka përgatitur.
Lirim të menjëhershëm do të përfitojnë edhe të gjitha gratë që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji do t’u ketë mbetur edhe 4 vite burg për të vuajtur, pavarësisht masës së dënimit, apo burrat që deri në hyrjen në fuqi të ligjit do të kenë edhe 3 vite të tjera burgim, pavarësisht sa janë dënuar.
Duke përjashtuar të gjithë të dënuarit për një sërë veprash penale, do të lirohen gjithashtu të gjitha gratë që në momentin kur hyn ligji në fuqi kanë mbushur 50 vjeç apo burrat mbi 60-vjeç apo edhe të dënuarit të rinj, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël.
LIROHEN MENJËHERË NGA BURGU (me përjashtimet e ligjit)
Burrat e dënuar deri në 3 vite ose më pak;
Gratë e dënuara deri në 4 vite ose më pak;
Burrat që u ka mbetur deri në 3 vite burg;
Gratë që u ka mbetur deri në 4 vite burg;
Burrat që janë 60-vjeç ose më shumë;
Gratë që janë 50-vjeç ose më shumë;
Të gjithë ata që ishin 18-vjeç kur kryen krimin.
Përveç rreth 380 të burgosurve që përfitojnë lirim të menjëhershëm, rreth 1000 të tjerë do të duhet të kënaqen me ulje të dënimit. Në draft është parashikuar ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit. Por dhe këtu përjashtohen të gjithë personat e dënuar nga GJKKO, të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që i janë shmangur drejtësisë dhe të dënuar për vrasje në rrethana cilësuese, vrasja e funksionarit publik, vrasja e punonjësit të policisë dhe vrasja në familje.
Gati 9000 qytetarë të tjerë pritet të përfitojnë nga amnistia penale përmes shuarjes së hetimit apo gjykimit ndaj tyre. Pra ndaj tyre nuk do të vijojë më hetimi apo gjykimi. Drafti parashikon përjashtimin nga ndjekja penale për të gjitha çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për krimet e bëra deri më 31 dhjetor 2025. Kjo për veprat për të cilat, Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak, parashikon dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të veprave që kanë kriteret ndaluese.


