Panik në “Ali Demi”, zjarr natën te kompleksi “Kadiu”! Evakuohen banorët, zjarrfikësja hyn në vështirësi nga rrugët e ngushta

Një zjarr ka shkaktuar panik mbrëmjen e djeshme në kompleksin “Kadiu”, në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku flakët përfshinë një nga pallatet e sapondërtuara të kompanisë “Kontakt”, në pronësi të biznesmenit Fatmir Bektashi.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, zjarri dyshohet se ka nisur në kabinën e automateve elektrike të pallatit. Aktivizimi i alarmit të emergjencës dhe tymi i dendur detyruan dhjetëra banorë, mes tyre familje me fëmijë, të dalin me urgjencë jashtë banesave.
Situata u rëndua edhe më shumë nga vështirësitë për ndërhyrjen e mjeteve të emergjencës. Banorët pretendojnë se rruga përpara pallatit ishte e bllokuar, duke penguar hyrjen në kohë të zjarrfikëses dhe ambulancës.
Qytetarët kanë ngritur shqetësime serioze për standardet e sigurisë brenda kompleksit, duke theksuar se rrugët e brendshme janë jashtë parametrave të nevojshëm për qarkullimin e mjeteve të emergjencës në raste kritike.
Kompleksi rezidencial ende nuk është përfunduar plotësisht, ndërsa pallatet janë banuar vetëm prej pak muajsh.


