Sulm me raketë ndaj ambasadës së SHBA në Bagdad

Një raketë ka goditur një “helipad” brenda kompleksit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad, sipas dy zyrtarëve irakianë të cituar nga agjencia e lajmeve AP.
Ambasada amerikane nuk ka reaguar ende zyrtarisht për incidentin, ndërsa pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë një re të madhe tymi që ngrihet mbi zonën e objektit diplomatik.
Kompleksi i ambasadës në Bagdad ka qenë shpeshherë objekt i sulmeve me raketa dhe dronë nga grupe të armatosura të lidhura me Iranin, raporton Sky News.
Të premten, ambasada amerikane rinovoi paralajmërimin e sigurisë në Nivelin 4, duke theksuar se këto grupe mund të vazhdojnë të shënjestrojnë qytetarët amerikanë dhe interesat e SHBA-së në Irak.
Ndërkohë, më herët gjatë kësaj jave, trupat britanike në një bazë amerikane rreth 200 milje larg, në Erbil të veriut të Irakut, rrëzuan dy dronë. Disa prej tyre ranë në zonë duke plagosur disa amerikanë, ndërsa personeli britanik nuk pësoi lëndime.
Në të njëjtën kohë, tensionet në rajon mbeten të larta, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit kanë hyrë në javën e tretë dhe deri tani nuk ka sinjale për ndalimin e tyre.


