BE-ja mbyll rubinetin e gazit rus, nga nesër hyn në fuqi rregullorja e “REPowerEU”! Ja çfarë përmban

Në një lëvizje historike me rëndësi energjetike dhe gjeopolitike, Bashkimi Evropian publikoi sot rregulloren e gazit “REPowerEU, e cila përcakton kuadrin ligjor detyrues për ndërprerjen e plotë të importeve të gazit rus deri në vitin 2027.
Rregullorja e re, e miratuar në fund të vitit 2025 dhe e botuar sot në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, synon t’i japë fund përfundimisht varësisë energjetike të BE-së nga Rusia, pothuajse katër vjet pas fillimit të pushtimit të Ukrainës dhe “instrumentalizimit” sistematik të energjisë nga Moska.
–Nga 25 prilli 2026, kontratat afatshkurtra për importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) janë të ndaluara.
-Nga 17 qershori 2026, kontratat afatshkurtra për importin e gazit natyror nëpërmjet tubacioneve janë të ndaluara.
-Nga 1 janari 2027, kontratat afatgjata për importin e LNG-së janë të ndaluara.
-Nga 30 shtatori 2027 , importet e gazit natyror nëpërmjet tubacioneve sipas kontratave afatgjata përfundojnë.
Përjashtimisht, Shtetet Anëtare do të jenë në gjendje të zgjasin afatin deri më 31 tetor 2027, me kusht që nivelet e mbushjes së objekteve të magazinimit të gazit natyror të jenë nën kufijtë e detyrueshëm të sigurisë.
Publikimi i rregullores në Gazetën Zyrtare do të thotë se ajo hyn në fuqi të nesërmen, duke i bërë dispozitat e saj të detyrueshme për të gjitha Shtetet Anëtare.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian shoqëroi publikimin e rregullores me një deklaratë zyrtare mbi heqjen graduale të importeve të naftës ruse (EU/2026/268). Siç është raportuar, Komisioni synon të paraqesë një propozim legjislativ deri në fillim të vitit 2026, me qëllim ndalimin e plotë të importeve të naftës nga Federata Ruse sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se viti 2027/Shqip


