BE mblidhet për krizën e karburantit/ Sot vendoset paketa emergjente, rezerva vetëm për 6 javë

Vendet europiane janë vënë në lëvizje për të përballuar një krizë të mundshme në furnizimin me karburant për avionët, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se rezervat aktuale mund të mjaftojnë për më pak se gjashtë javë.
Në këtë situatë, Bashkimi Evropian po shqyrton alternativa të reja furnizimi, përfshirë importet nga Shtetet e Bashkuara dhe lehtësimin e rregullave për linjat ajrore që të marrin karburant jashtë Europës. Një tjetër hap mund të jetë edhe fleksibiliteti në përdorimin e slot-eve në aeroporte.
Sipas burimeve, Komisioni Europian pritet të prezantojë një paketë konkrete masash, ndërsa do të rritet kontrolli mbi rezervat dhe shpërndarja e tyre mes vendeve anëtare.
Alarmi vjen në një moment tensionesh të forta ndërkombëtare, të lidhura me zhvillimet në Irani, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ekspertët theksojnë se ulja e konsumit, sidomos në transport, mbetet një nga mënyrat më të shpejta për të përballuar situatën.


