Bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës, humbin jetën tre anëtarë të familjes, nxirret i gjallë vetëm djali

Një çift dhe vajza e tyre 6-vjeçare humbën jetën si pasojë e një bombardimi izraelit në Rripin e Gazës, ndërsa djali i familjes u nxor i gjallë, por i plagosur, nga rrënojat e shtëpisë.
Tragjedia ndodhi në zonën Deir al-Balah, ku një sulm ajror izraelit vrau tre anëtarë të së njëjtës familje, duke iu shtuar numrit të viktimave civile, ndërsa përpjekjet diplomatike për një armëpushim në rajon vazhdojnë të mbeten në ngërç.
Sipas burimeve mjekësore, të cituara nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa, nga sulmi humbën jetën Omar Abu Qassem, bashkëshortja e tij Asma dhe vajza e tyre, Habiba. Djali i familjes u nxor i gjallë nga rrënojat e ndërtesës së goditur dhe u transportua me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Nga ana e saj, Ushtria Izraelite (IDF) nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm lidhur me sulmin. Ndërkohë, gazeta Times of Israel, duke cituar një burim ushtarak, raportoi se objektivi i sulmit ishte një anëtar i Hamasit.
Në përditësimin e fundit, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 13 persona dhe janë plagosur 18 të tjerë.
Ngjarja ndodh në një kohë kur përpjekjet diplomatike për armëpushim vazhdojnë të hasin vështirësi. Bisedimet për zbatimin dhe avancimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të nënshkruar nga Izraeli në tetor të vitit të kaluar, kanë mbetur pa rezultat.
Sipas raportimeve, dështimi i negociatave ka sjellë një valë të re dhune. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, më shumë se 1 mijë palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën.


