Dy vjetori i luftës më të ashpër të shekullit XXI, Izraeli dhe Hamasi fillojnë negociatat për armëpushim
Dy vjet pas sulmit të Hamas në jug të Izraelit, që mori jetën e 1.200 personave dhe shënoi fillimin e një prej luftërave më shkatërruese të shekullit XXI, Gaza vazhdon të jetë e mbuluar nga rrënojat, ndërsa Izraeli përpiqet të rindërtojë kohezionin e brendshëm.
Negociatat e reja, me ndërmjetësues Egjiptin, Katarin dhe SHBA-ve, që nisën dje në Sharm El-Sheikh, kanë për qëllim të përfundojnë një luftë që ka kushtuar dhjetëra mijëra jetë.
Ishte 7 tetori i vitit 2023 kur rebelët e Hamasit shpërthyen luftën në Izrael nga Rripi i Gazës dhe sulmuan pjesëmarrësit në festivalin muzikor “Supernova”.
Gjatë sulmit humbën jetën rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa 251 u morën peng dhe u transportuan në Gaza.
Një ditë më vonë, Izraeli nisi kundërpërgjigjen me bombardime dhe bllokim të plotë të Rripit të Gazës, si dhe përplasje në Bregun Perëndimor dhe kufijtë me Libanin.
Gjatë këtyre dy viteve luftë, më shumë se 66.000 palestinezë, përfshirë më shumë se 18.000 fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas një raporti të UNRWA.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar se ky numër ka kaluar 67.000, me afërsisht 170.000 të tjerë të plagosur.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka ndihmuar në çlirimin e 148 pengjeve dhe 1.931 të burgosurve, si dhe në kthimin e eshtrave të të vdekurve. Mbi 190.000 ndërtesa janë shkatërruar, duke lënë pas një qytet të shkatërruar pa infrastruktura themelore.
Në shtator, një hetim i pavarur i OKB-së arriti për herë të parë në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, një akuzë që qeveria izraelite e ka refuzuar.
Në mes të këtyre ngjarjeve, Hamas shpalli 7 tetorin si “ditë të lavdishme”, duke nderuar sulmet dhe duke i quajtur terroristët që plaçkitën kibucët izraelitë si “heronj” që “mbrojnë fenë dhe atdhenë”. Po ashtu, u përkujdesën të nderonin liderët e terrorizmit që u vranë nga Izraeli gjatë dy viteve të fundit të luftës.
Në të njëjtën kohë, komunitetet hebraike në mbarë botën e nderuan përvjetorin e dytë të masakrës së 7 tetorit, para datës që përkoi me festën e “Sukkot”, duke organizuar aktivitete në disa qytete të botës.
Dy vjet pas ngjarjes, Hamas dhe Izraeli janë ulur në tryezën e negociatave për të miratuar planin paqësor të presidentit amerikan Donald Trump dhe për të përfunduar përplasjen mes tyre.
Raundi i parë i bisedimeve për Gazën ndërmjet Hamas dhe ndërmjetësve u përmbyll në Egjipt “në një atmosferë pozitive”, sipas mediave egjiptiane të shtetit, dhe bisedimet do të vazhdojnë sot në Sharm El-Sheikh, ku mbërriti një delegacion izraelit.
Në këto bisedime pritet që Izraeli dhe Hamasi të fillojnë negociatat indirekte mbi detajet e propozimit të Presidentit Trump për shkëmbim pengjesh dhe të një paqeje të ngahershme.