Itali/ 30-vjeçari përplas këmbësorët me makinë, më pas godet me thikë një tjetër në tentativë për t’u larguar

Një makinë me shpejtësi të lartë ka përplasur rreth dhjetë persona në këmbë në qendër të Modenës.
Katër prej të plagosurve janë në gjendje shumë të rëndë, përfshirë një grua që raportohet nga mediat italiane se ka humbur të dyja këmbët. Makina, pas përplasjes me grupin e kalimtarëve, është përplasur më pas në vitrinën e një dyqani. Dyshohet se ky aksidenti ka qenë një veprim i qëllimshëm.
Ngjarja ka ndodhur në via Emilia Centro, me automjetin që vinte nga Largo Garibaldi.
Burri në timon, i cili kishte tentuar të largohej, u ndalua nga forcat e rendit dhe aktualisht ndodhet në komisariat. Ai është një 30-vjeçar, pa precedentë penalë, i lindur në Bergamo dhe i rritur në Modena.
Sipas Corriere della Serra, autori ka rezultuar negativ në testin për konsum alkooli apo substancash narkotike. Por, rezulton se ai ishte nën trajtim në Castelfranco Emilia për probleme psikiatrike.

Kryebashkiaku i Modenës, Massimo Mezzetti, në një video në Facebook, ka rikonstruktuar ngjarjen.
“Fatmirësisht nuk ka viktima. Nga videot shihet se personi ka hyrë në rrugën kryesore dhe është hedhur mbi trotuar, duke përplasur disa persona”, tha ai, duke shtuar se më pas është përplasur në një vitrinë dhe ka shtypur një grua.
“Solidaritet i plotë për të plagosurit.”
Ai gjithashtu deklaroi se “e kanë parë me një armë në dorë, por nuk arriti të godasë askënd”.
“Duhet kuptuar natyra e ngjarjes, por është një akt dramatik. Jam thellësisht i tronditur”, shtoi Mezzetti. Sipas tij, shumë shpejt do të mbahet një mbledhje në Prefekturë.
Luca Signorelli, një nga personat që ka ndjekur autorin e ngjarjes, tregon se gruaja e shtypur në vitrinë ka humbur të dyja këmbët.
“Ndërsa po përpiqesha të ndihmoja zonjën me këmbë të amputuara, ai u arratis”, tha ai për mediat italiane. “E ndoqa bashkë me disa të tjerë. U zhduk mes makinave dhe më pas doli sërish me një thikë në dorë.”
Shoferi i automjetit ka mbetur i plagosur në përplasje dhe është larguar në këmbë pas incidentit. Ai u ndalua përfundimisht nga forcat e rendit në kryqëzimin mes rua Pioppa dhe corso Adriano.
Ngjarja është parë nga dhjetëra qytetarë. “Pamë makinën që po afrohej drejt trotuarit. Bëri një përshpejtim të papritur. Po shkonte të paktën 100 km/orë, pamë njerëzit të fluturonin”, thanë disa dëshmitarë.

